Qeveria “Kurti 4” rikthen Kodin e ri Civil në Kosovë, sërish debat për martesat mes personave të së njëjtës gjini

11/10/2026 15:10

Qeveria “Kurti 4” ka miratuar, në mbledhjen e saj të fundit, programin e projektligjeve që synon t’i përgatisë për miratim në Kuvend deri në vitin 2028, e në mesin e tyre është edhe drafti i Kodit të ri Civil, i cili nuk arriti të miratohej në parlamentin e Kosovës në mars të vitit 2022.

Një nga çështjet që shkaktoi kundërshtime asokohe, siç kujtojnë mediat në Prishtinë, ishte një dispozitë që parashikonte mundësinë e hartimit të një ligji të veçantë, përmes të cilit do të mundësohej regjistrimi i “bashkimit civil” mes personave të së njëjtës gjini.

Sipas programit të ri qeveritar, drafti pritet të rishikohet dhe më pas, të kalojë  për miratim në Kuvend deri më 15 nëntor të këtij viti. Përgjegjësia për këtë proces i takon Ministrisë së Drejtësisë, e udhëhequr nga Donika Gërvalla.

Dispozita për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini kishte shkaktuar pakënaqësi edhe tek vetë deputetë të mazhorancës disa vite më parë, e përshkruhet si një nga arsyet e largimit të Eman Rrahmanit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, përfaqësues ndërkombëtarë e kishin cilësuar dritën jeshile ndaj Kodit Civil si të një rëndësie kyce, duke insistuar në miratimin e tij. Në anën tjetër, bashkësitë fetare në Kosovë ishin shprehur njëzëri kundër projektligjit, duke kërkuar që ai të mos aprovohej në formën e propozuar.

Top Channel