CNN vendosi të pezullojë për një afat të pacaktuar gazetarin Chris Cuomo pasi dolën në dritë detaje që tregonin sesi ai kishte ndihmuar vëllanë e tij, ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andrew Cuomo, në kohën kur përballej me akuza për ngacmim seksual.
Gjiganti mediatik amerikan tha se dokumentet e lëshuara nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut tregonin se roli i Chris në këtë çështje, kishte qenë më i madh nga sa ishte në dijeni televizioni.
Gazetari kishte kërkuar informacion nga disa burime mbi akuzueset e vëllait të tij dhe ia kishte kaluar informacionin personelit të guvernatorit, si edhe kishte qenë aktiv në hartimin e përgjigjeve ndaj akuzave, sipas emaileve dhe një transkripti të dëshmisë së tij përpara hetuesve që punojnë për Prokuroren e Përgjithshme të shtetit, Letitia James.
Cuomo e kishte pranuar më parë se kishte folur me vëllanë e tij dhe e kishte këshilluar kur guvernatori u përball me akuzat për ngacmim që çuan në dorëheqjen e tij. Por informacioni i publikuar më 29 nëntor zbuloi shumë më tepër detaje rreth asaj që ai kishte bërë.
Andrew Cuomo dha dorëheqjen në gusht për t’iu shmangur një gjyqi të mundshëm për shkarkimin e tij, pasi një hetim i udhëhequr nga zyra e James zbuloi se ai kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.
Top Channel