iPhone 18 është lançuar të premten në mëngjes në Sydney të Australisë, ku dhjetëra fansa të Apple u mblodhën jashtë dyqanit në George Street përpara hapjes së dyerve.

Disa prej tyre kishin kaluar natën jashtë dyqanit, me synimin për të qenë ndër të parët në botë që do të merrnin në dorë modelet e reja të telefonit.

Dyqani i Apple në George Street hapi dyert në orën 08:00, duke u kthyer menjëherë në qendër të vëmendjes. 20-vjeçari Lachlan Collyer kishte mbërritur disa orë më herët dhe doli nga dyqani duke mbajtur iPhone 18 Pro në ngjyrën e re “Glacier Blue”.

Por momenti u shoqërua edhe me një incident të pazakontë. Një tjetër klient doli nga dyqani, iu drejtua kamerave dhe pretendoi se ishte personi i parë në botë që kishte marrë në dorë iPhone 18. “Unë jam i pari! Unë jam i pari! Të gjitha lajmet e mallkuara janë gënjeshtra!”, bërtiti ai.

Megjithatë, Collyer vijoi të konsiderohej nga klientët në radhë dhe stafi i Apple si personi i parë që kishte hyrë në dyqan për të marrë telefonin e ri.

“Jemi vërtet të emocionuar. Mezi presim ta shohim nga afër”, thanë ndërkohë dy fansa të tjerë të Apple, Mehak Dhiman, 26 vjeç, dhe Shav Chandra, 24 vjeç, të cilët kishin mbërritur që në orën 06:00.

Ata po diskutonin mes ngjyrës “Glacier Blue” dhe variantit të ri “Burgundy”, ndërsa shpjeguan se kishin ardhur herët për të parë nga afër ngjyrat përpara se të vendosnin se cilin model do të blinin.

Në dyqan u prezantua gjithashtu për herë të parë iPhone Duo, telefoni i parë i palosshëm i Apple, i cili pritet të dalë zyrtarisht në treg më 23 tetor. Dy fansat thanë se donin ta provonin nga afër, edhe pse nuk kishin plan ta blinin.

Krahas iPhone 18, Apple prezantoi të premten edhe modelet e reja të Apple Watch Ultra 4 dhe AirPods 5. Ndërkohë, Mac mini dhe Mac Studio të rinj pritet të jenë të disponueshëm në Australi nga 22 shtatori.

Top Channel