Meta Platforms, kompania mëmë e Instagram dhe Facebook, ka arritur një marrëveshje jashtë gjykatës me një 18-vjeçare, e cila e kishte paditur kompaninë duke pretenduar se platformat e saj ishin krijuar për të nxitur varësinë dhe i kishin shkaktuar probleme të shëndetit mendor dhe çrregullime të të ngrënit.

Kushtet e marrëveshjes me të renë, e identifikuar vetëm me inicialet KDB, nuk janë bërë publike. Kjo është marrëveshja e dytë e arritur nga Meta brenda një jave, pasi kompania kishte zgjidhur më parë edhe çështjen me një tjetër paditëse, 16-vjeçaren SJ.

Si pasojë, gjyqi që pritet të nisë së shpejti në Los Angeles do të vijojë vetëm kundër Snap Inc., kompania mëmë e Snapchat.

Avokatja e 18-vjeçares, Emily Jeffcott, deklaroi se mbeten të përkushtuar për rritjen e sigurisë së fëmijëve në platformat e mediave sociale dhe për të mbajtur kompanitë e teknologjisë përgjegjëse për ndikimin që kanë te të rinjtë.

Dy vajzat, SJ nga Illinois dhe KDB nga Misisipi, pretendojnë se kanë nisur të përdorin YouTube që në moshën 3-vjeçare, ndërsa rreth moshës 9-vjeçare kanë filluar të përdorin edhe platforma të tjera sociale. Sipas padisë, veçori si luajtja automatike e videove dhe lëvizja e pafundme në ekran kanë nxitur zakone kompulsive dhe varësi nga përdorimi i aplikacioneve.

Kompanitë e përfshira i kanë mohuar akuzat, duke argumentuar se platformat e tyre nuk janë projektuar për të krijuar varësi te të rinjtë dhe se kanë ndërmarrë masa për të garantuar një mjedis më të sigurt për përdoruesit e mitur.

Çështja është pjesë e një serie padish të ngritura në SHBA kundër kompanive të mëdha të teknologjisë. Në një proces të zhvilluar në mars, një juri shpalli përgjegjëse Metën dhe YouTube për neglizhencë dhe vendosi një dëmshpërblim prej 6 milionë dollarësh në favor të një gruaje të re.

Ndërkohë, edhe TikTok dhe YouTube kishin arritur më herët marrëveshje me dy adoleshentet që ngritën padinë në Los Angeles. Një distrikt shkollor, i cili kishte ngritur gjithashtu padi kundër kompanive të mediave sociale, vendosi të arrinte marrëveshje jashtë gjykatës përpara nisjes së procesit.

Në gusht, Meta arriti një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh me pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret amerikane për t’i dhënë fund padive që lidhen me dëmtimin e të rinjve nga platformat e saj. Kompania u angazhua gjithashtu të ndryshonte disa funksione të Instagram dhe Facebook për përdoruesit adoleshentë.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, një gjykatës në New Mexico urdhëroi Metën të paguante një gjobë prej 25 miliardë dollarësh, në një çështje që lidhej me akuzat për mashtrimin e përdoruesve lidhur me trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe të dhënave personale në Facebook.

Top Channel