5.2 milionë euro dhe një vilë 14 milionëshe/ Ky është Zhigoloja që u akuzua se mashtroi vejushën e pasur në Manhatan

18/09/2026 18:47

Craig Starr, një zhigolo 38-vjeçare, është përfshirë në një betejë ligjore me një 49-vjeçare nga Nju Jorku, e cila e akuzon se e ka mashtruar dhe i ka marrë 5.2 milionë euro.

Në mes të përplasjes ligjore kanë dalë në dritë edhe fotografi dhe video që tregojnë transformimin fizik të Starr pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale estetike.

Pamjet janë publikuar në llogaritë e kirurgut plastik Jason Emer dhe tregojnë Starr para dhe pas procedurave, përfshirë liposuksion dhe ndërhyrje të tjera për skulpturimin e trupit dhe fytyrës. Kirurgu e ka paraqitur pamjen e tij si një shembull të standardit estetik që ai e quan “Maxoris”.

Në një prej videove, Starr shprehet i kënaqur me rezultatin e ndërhyrjeve dhe vlerëson punën e kirurgut, duke thënë se ai kishte kombinuar “saktësinë shkencore me artin dhe bukurinë”.

Ndërkohë, në qendër të çështjes gjyqësore është marrëdhënia e tij me Marian Flipo, e cila pretendon se kishte besuar se mes tyre ishte krijuar një lidhje romantike, ndërsa sipas saj Starr dhe persona të lidhur me agjencinë e eskortave e kishin manipuluar për t’i dhënë miliona dollarë.

Sipas padisë së Flipo-s, historia nisi në dhjetor të vitit 2024, disa muaj pasi ajo kishte humbur bashkëshortin e saj, Chad Flipo, me të cilin kishte qenë e martuar për 28 vite dhe me të cilin kishte tre fëmijë.

Ajo vuante nga një sëmundje e rrallë gjenetike dhe, kur iu desh të udhëtonte drejt Italisë për trajtim, kërkoi një shoqërues që të fliste italisht.

Nëpërmjet një të njohuri, ajo ra në kontakt me kompaninë “Cowboys 4 Angels”. Sipas padisë, Flipo mendonte fillimisht se bëhej fjalë për një kompani që ofronte asistentë personalë dhe jo shërbime eskortash.

Ajo pagoi rreth 27 mijë dollarë për udhëtimin dhe në këtë mënyrë u njoh me Craig Starr.

Flipo pretendon se gjatë udhëtimit ata qëndruan në dhoma të veçanta, por pas kthimit në SHBA kontakti mes tyre vazhdoi dhe marrëdhënia gradualisht u shndërrua në një lidhje personale.

Sipas saj, deri në dhjetor 2025, Starr ishte zhvendosur në shtëpinë e saj në Nju Jork. Në atë periudhë, ajo kishte paguar më shumë se 450 mijë dollarë që ai të punonte ekskluzivisht për të.

Marrëdhënia u bë edhe më serioze kur Flipo bleu, më 30 prill 2026, një rezidencë historike në Manhattan për rreth 14 milionë euro. Sipas avokatit të saj, ajo e bleu pronën me idenë që të jetonte aty së bashku me Starr.

Bëhet fjalë për Lanier House, një rezidencë gjashtëkatëshe e ndërtuar në vitin 1903 në stilin Beaux-Arts. Prona ka rreth 1,081 metra katrorë, 12 dhoma gjumi, më shumë se nëntë banjo, një bodrum vere, ashensor prej druri, si dhe një hapësirë mirëqenieje me pishinë të ftohtë dhe sauna prej kedri.

Sipas avokatit Larry Hatcher, blerja e shtëpisë ishte e lidhur drejtpërdrejt me marrëdhënien mes tyre.

Pika kryesore e konfliktit ligjor është një marrëveshje që, sipas Flipo-s, ajo u nxit të nënshkruante në mënyrë që Starr të shkëputej nga agjencia e eskortave dhe të mund të vazhdonte lidhjen me të.

Ajo pretendon se marrëveshja kishte vlerën e 8.6 milionë eurove dhe se u nënshkrua gjatë një udhëtimi në Atlanta, ndërsa ajo po rikuperohej nga një ndërhyrje kirurgjikale dhe merrte medikamente të forta.

Fillimisht Flipo tentoi të transferonte të gjithë shumën, por banka e anuloi transaksionin për shkak të dyshimeve për mashtrim. Më pas, sipas padisë, ajo transferoi 5.2 milionë euro në një llogari të përbashkët me Starr.

Flipo pretendon se Starr më pas transferoi 4.9 milionë euro nga kjo llogari në një llogari që ishte nën kontrollin e tij.

Ajo iu drejtua më pas një avokati për të shqyrtuar marrëveshjen dhe ngriti padi në Gjykatën Supreme të Manhattanit, duke kërkuar rikthimin e parave.

Craig Starr i ka mohuar akuzat dhe ka dhënë një version tjetër të historisë.

Në një deklaratë për “New York Post”, ai tha se paratë ishin përdorur për shpenzimet e tij, shpenzimet e përbashkëta të çiftit dhe donacione bamirësie. Sipas tij, kishin mbetur rreth 2.6 milionë euro.

Starr mohoi gjithashtu se kishte detyruar Flipo-n të nënshkruante marrëveshjen.

“Doja të kisha siguri financiare. Doja të largohesha nga agjencia dhe të përpiqesha vërtet të kisha një lidhje, sepse isha i dashuruar me të më shumë se çdo gjë tjetër”, deklaroi ai.

Ai pretendoi gjithashtu se vetë kishte qenë viktimë e sjelljes abuzive nga Flipo dhe e përshkroi marrëdhënien e tyre si një “aventurë të çmendur”.

Avokati i Starr, Todd Spodeck, tha se padia paraqet vetëm versionin e njërës palë dhe se provat në proces do të tregojnë se çfarë ka ndodhur realisht.

Çështja vijon të jetë në proces gjyqësor, ndërsa pretendimet e të dyja palëve pritet të shqyrtohen gjatë procedurave ligjore.

Top Channel