Rikthimi i Marco Rose në “Borussia park” rezultoi i hidhur, pasi Dortmundi i tij u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga M’gladbach, skuadër të cilën e drejtoi me mjaft sukses në periudhën 2019-2021.
Verdhezinjtë u ndëshkuan në minutën e 37’ nga një gol i zviceranit Denis Zakaria, ndërsa tre minuta më vonë komplikoi totalisht ndeshjen mesfushori Mahmoud Dahoud, i cili pas një faulli në mesfushë, lëshoi disa fjalë më tepër ndaj arbitrit Aytekin dhe ky i fundit e dërgoi në dhomat e zhveshjes para kohe.
Në përfundim të ndeshjes, mesfushori 25-vjeçar gjerman pranoi se kishte gabuar me sjelljen ndaj arbitrit dhe u kërkoi ndjesë fansave e shokëve të skuadrës, që i la me një lojtar më pak në fushën e lojës, për më shumë se 50 minuta.
“I zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes së sotme dhe mbi të gjitha me përjashtimin tim nga loja. Kur mbetëm me një lojtar më pak, ishte e pamundur që të riktheheshim në lojë. U kërkoj ndjesë skuadrës dhe fansave. Është shumë e rëndësishme për mua, që të tregoj respekt brenda dhe jashtë fushës së lojës. Tani të shohim përpara dhe të bëjmë reagimin e duhur që të martën në Ligën e Kampionëve”, shkroi Dahoud në rrjetet sociale pas ndeshjes.
Ndërkohë arbitri gjerman Deniz Aytekin shkroi në raportin e ndeshjes se kishte vendosur të përjashtojë Dahoud nga fusha, pasi po vërente mungesë respekti ndaj vendimeve të tij.
Top Channel