Gurishta: Kam vuajtur shumë për Vllazninë, trofeun ia dedikoj nënës që nuk jeton

31/05/2021 23:23

Tre vite më parë shpërtheu në lot, kur Vllaznia ra një kategori më poshtë, por Erdenis Gurishta nuk e tradhtoi skuadrën e tij të zemrës dhe u ringrit bashkë me të, teksa mbrëmjen e sotme ngriti lart Kupën e Shqipërisë, një trofe që mungonte prej 13 sezonesh në Shkodër.

Në intervistën Gurishta nuk i fshehu emocionet dhe vuajtjet për këtë arritje, teksa ia dedikoi trofeun mamasë së tij, e cila është ndarë nga jeta dy vite më parë.

Ju keni qenë pjesë e Vllaznisë edhe kur prekët fundin me rënien nga kategoria. Si është për ty që je shkodran dhe tani sheh Vllazninë të fitojë Kupën e Shqipërisë?

Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar, pasi po më dridheshin këmbët kur arbitri dha 4 minuta shtesë. Kam vuajtur shumë me ekipin tim të zemrës, por mu realizuan të dy ëndrrat, të isha kapiten i Vllaznisë dhe të fitoja trofe me të.

Kur e besuat se kjo Vllazni mund të arrinte diçka?

Të jem i sinqertë unë kam besuar që pas 6 javëve të para të kampionatit, pasi u përballëm me skuadrat më të forta dhe i dominuam. Patëm një moment vështirësie në mesin e sezonit, që na kushtoi disi, megjithatë të gjithë e kanë thënë që Vllaznia është fituesja e vërtetë e kampionatit. Megjithatë ky trofe është shumë i rëndësishëm dhe ia dedikoj nënës time, që u nda nga jeta para dy vitesh dhe nuk e pa djalin e saj të ngrejë një trofe me Vllazninë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA