Live Belgjikë-Senegal/ Senegali ndëshkon sërish belgët, ‘Luanët’ një hap më afër kualifikimit në fazën tjetër(Video)
Eliminimi i Koresë së Jugut që në fazën e grupeve të Botërorit 2026 ka ndezur një persekutim publik të paprecedentë ndaj ish-trajnerit Hong Myung-bo, i cili po përjeton një makth të vërtetë.
Vetë Presidenti Lee Jae Myung shpërtheu me akuza të ashpra, duke e quajtur dështimin të papranueshëm dhe pasojë të paaftësisë e mungesës së organizimit. Ai urdhëroi menjëherë një hetim shtetëror nga Ministria e Kulturës dhe Sportit, duke theksuar se për këtë turne u shpërdoruan paratë e taksapaguesve, dhe u kërkoi ndjesë publike të gjithë tifozëve të zhgënjyer.
Për t’i shpëtuar tërbuimit të turmës, delegacioni u kthye në atdhe në mes të natës, por plani dështoi pasi qindra njerëz i pritën në aeroport me fyerje dhe kore të rënda. Situata u bë aq alarmante sa forcat e rendit u detyruan të shtonin maksimalisht mbrojtjen për teknikun, pasi një 41-vjeçar rezident në SHBA kërcënoi hapur në internet se do ta ekzekutonte trajnerin sapo të zbriste në aeroportin e Incheon-it.

Ky persekutim kaloi çdo limit kur disa televizione kombëtare ia turbulluan fytyrën me efekt “blur” gjatë konferencave, një praktikë kjo që në Korenë e Jugut përdoret ekskluzivisht për kriminelët e rrezikshëm. Për më tepër, në provincën Gyeonggi shumë kafene dhe restorante kanë afishuar pankarta që i ndalojnë rreptësisht hyrjen ish-trajnerit, ndërkohë që rrjeti është pushtuar nga video deepfake dhe lajme të rreme sikur ai u kishte kërkuar lojtarëve të arratiseshin.
Në mes të këtij kryqëzimi publik, Hong Myung-bo u mbrojt duke deklaruar se marrja e kësaj detyre nuk kishte qenë e lehtë, por ai kishte punuar gjithmonë me përgjegjësi maksimale. Ish-trajneri shtoi se në çdo vendim, që nga përzgjedhja e lojtarëve e deri te taktikat, nuk kishte rreshtur kurrë së pyeturi veten nëse po bënte gjënë e duhur për të mirën e futbollit të vendit të tij.
Top Channel