Festa që u kthye në tragjedi, shkon në katër numri i të vdekurve në Mexico City pas kualifikimit në Botëror

01/07/2026 22:40

Ka shkuar në katër numri i personave që humbën jetën gjatë festimeve masive në Mexico City pas fitores 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit, sukses që i siguroi kombëtares kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës.

Fillimisht, autoritetet konfirmuan vdekjen e tre personave nga asfiksia, mes tyre një vajzë 19-vjeçare, një grua 48-vjeçare dhe një burrë 44-vjeçar, të cilët u përfshinë nga turma e madhe e tifozëve që pushtoi rrugët e kryeqytetit.

Më vonë, autoritetet e qytetit njoftuan se një burrë 30-vjeçar humbi jetën pasi pësoi një krizë epileptike gjatë festimeve, duke e çuar në katër numrin total të viktimave.

Sipas autoriteteve, mbi një milion njerëz dolën në rrugët e Mexico City, kryesisht pranë monumentit të Engjëllit të Pavarësisë, për të festuar fitoren e parë të Meksikës në fazën me eliminim direkt të një Botërori që nga viti 1986.

Shërbimet e emergjencës ndërhynë në disa pika përgjatë bulevardit Paseo de la Reforma, ku u gjetën persona pa ndjenja. Ata morën ndihmën e parë dhe iu nënshtruan procedurave të reanimimit përpara se të transportoheshin në spital, por për katër prej tyre mjekët nuk arritën t’u shpëtonin jetën.

Kryetarja e Bashkisë së Mexico City, Clara Brugada, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u bëri thirrje tifozëve që festimet t’i zhvillojnë gjithmonë me përgjegjësi, kujdes dhe respekt për të tjerët.

Fitorja ndaj Ekuadorit i siguroi Meksikës një vend në raundin e 16 më të mirave të Kupës së Botës, ku tashmë do të përballet me Anglinë, që eliminoi Republikën Demokratike të Kongos me rezultatin 2-1.

Top Channel