Një ekspozitë që vendoset përballë një të shkuare brutale kolonialiste është hapur në Amsterdam.
Muzeu i famshëm, Rijksmuseum, risjell skllavërinë në një formë tjetër, me shpresën të nxisë një debat të ri mbi këtë periudhë të dhimbshme të historisë së vendit: përballja me të vërtetën, si rrugë për të shpëtuar nga plagë të vjetra.
“The Rijksmuseum vendosi që ta paraqesë të gjithë historinë e Holandës, në një mënyrë më të plotë nga sa e kemi bërë më parë. Ne mendojmë se e shkuara kolonialiste është një element i rëndësishëm i historisë tonë kombëtare. Ishte koha që të çelej një ekspozitë dhe për skllavërinë”, tha drejtuesja e departamentit të historisë në Rijksmuseum, Valika Smeulders.
“Ne deshëm ta paraqesnim këtë në një mënyrë empatike, duam që njerëzit të jenë të aftë të lidhen me atë histori, ta shohin se i përket të gjithëve e jo vetëm një grupi të vogël personash”, theksoi Valika Smeulders.
Kuratorët e eventit synojnë që kjo nismë të çojë drejt një debati më të mirë-informuar, e t`i nxise te gjithë ta dëgjojnë më shume njëri-tjetrin. Qëllimi është të përcjellim një informacion më të detajuar mbi historinë, thonë ata, e për këtë arsye përdoren edhe këngë në sfond apo shpjegime zanore të cilat t`i ndihmojnë vizitorët të hyjnë më mirë në atmosferën e kohës, duke rrëfyer të gjithë vuajtjet e atyre njerëzve që nuk u trajtuan kurrë si të tillë.
Top Channel