Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është gati për sezonin e ri artistik.
“Kemi qenë në Kosovë para dy ditësh, në një festival mbarëkombëtar, ku jemi vlerësuar me çmimin e mirënjohjes dhe tashmë jemi duke u përgatitur pasi nesër nisemi në një turne në disa qytete të Italisë”, tha Sokol Marsi-drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar.
Ansambli nis një tjetër rrugëtim artistik në skenat italiane në ritmin e traditës shqiptare.
“Jemi shumë të kënaqur kur mendojmë se si shqiptarët na presin në Itali. Salla rri gjithë kohën në këmbë”, u shpreh Flogert Shatraj-violinist.
Programi artistik ndërthur këngë dhe valle nga të gjitha trevat për të prezantuar jo vetëm te shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj, por edhe te vendasit, kulturën popullore shqiptare.
“Do të ketë një larmi vallesh, nga vallja çame te vallja e Tropojës dhe Kukësit. Vallet do të jenë të gjalla dhe do të shprehin shpirtin shqiptar që na ka shoqëruar ndër shekuj”, deklaroi Genc Kastrati-koreograf.
Pas Italisë, artistët do të performojmë për herë të parë në Shkoci.
“Do të shkojmë në Edinburg, ku trashëgimia lidhet bukur me artin, kulturën“, tha Sokol Marsi-drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar.
Ndërsa surprizën më të madhe, Ansambli po e përgatit për festat e nëntorit, kur “Kostandini dhe Doruntina”, legjenda e famshme shqiptare do të vijë premierë botërore si një entomuzikal.
Top Channel