Çmimet e Festivalit të Filmit, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” i Gentian Koçit shpallet filmi më i mirë
Çlirimi i Beratit më 13 shtator 1944 ishte një nga betejat më heroike të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që shënoi edhe një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin e Shqipërisë, pasi pas kësaj date vijuan çlirimet e qyteteve të tjera të vendit.
Sot, me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të qytetit, u zhvilluan homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar ata që ranë në betejat për çlirimin e qytetit dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në ceremoni morën pjesë Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të të rënëve, përfaqësues të policisë, deputetë dhe qytetarë. Nën tingujt e Bandës Frymore të qytetit, u vendosën kurora dhe buqeta me lule në lapidarin kushtuar dëshmorëve, në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, si shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tyre.
Pas ceremonisë, u krye edhe rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve i dëshmorit Agron Elezi. Agron Elezi, nga fshati Mbolan i Beratit, vdiq gjatë tërmetit në vitin 1967, kur ishte ushtar në kufi të vendit dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” në vitin 2024.
Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka thënë në fjalën e tij se, ‘13-shtatori është një ditë e shënuar për qytetin e Beratit, një ditë që na kujton sakrificën e të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit’.
“Ne, jo vetëm që duhet të jemi mirënjohës për sakrificën e të parëve tanë, por duhet edhe të bëjmë çmos që brezat që do të vijnë të njohin historinë e qytetit dhe sakrificën e dëshmorëve”, u shpreh ai.
Një mesazh urimi ka përcjellë edhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Ceca.
Në betejën për çlirimin e Beratit më 13 shtator 1944, u angazhuan partizanë të brigadës VII sulmuese dhe batalionet partizane që vepronin në qarkun e Beratit.
Ato u vendosën në pikat dominante të qytetit si: kodrën e Shën Thanasit, Kala, Goricë, Vakëf, Uznovë dhe lagjen “Murat Çelebi”. Në këtë betejë mbetën dëshmorë 23 të rinj antifashistë dhe u plagosën 30 të tjerë, ndërkohë që nga Berati dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare rreth 225 dëshmorë.
Top Channel