Finalet e play off-it, “Euro 2020” plotëson kornizën e skuadrave të kualifikuara

12/11/2020 17:47

Euro 2020 do të plotësojë kornizën e 24 skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionin europian që do të zhvillohet verën e vitit 2021. Kanë mbetur edhe 4 bileta dhe kjo e enjte, e pasur me ndeshje në SuperSport, do të përcaktojë se cila do të jenë 4 kombëtaret e fundit që do të shkojnë në Europian.

Përveç takimit që na intereson më shumë, Maqedoni e Veriut – Gjeorgji, do të luhen edhe tri finale të tjera. Serbia do të presë Skocinë në Beograd dhe ndonëse nuk ka qenë një periudhë e qetë për shkak të kufizimeve që autoritet italiane kanë vendosur për të frenuar sa më tepër përhapjen e Koronavirusit, Milinkovic-Savic dhe Kolarov nuk i kanë zbatuar kushtëzimet dhe janë në grumbullim, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe dy lojtarët e Fiorentinës, Nikola Milenkovic dhe Valovic, që ndodhen në Beograd.

Serbia ka patur luhatjet e veta, megjithatë, skuadra e Tumbakovic ia doli të eliminonte në gjysmëfinale Norvegjinë e Haaland dhe kërkon biletën për në Europian, ku mungon nga viti 2000. Akoma më shumë i mungon ky eveniment Skocisë. “The Tartan Army” nuk merr pjesë në finalet e një Europiani që nga viti 1996-të, kur evenimentin e organizoi Anglia.

Steve Clarke nuk ka të gatshëm Ryan Fraserin dhe Grant Hanley-n, megjithatë mund ka dy lojtarë të rëndësishëm në mbrojtje, si McTominey i Man. United dhe Kieran Tierney të Arsenalit. Dy elementë të tjera mjaft të rëndësishëm janë kapiteni Andrew Robertson dhe mesfushori i Aston Villës, McGinn. Skocezët vijnë në këtë finale pa asnjë humbje në 8 ndeshjet e fundit, që është edhe seria me e gjatë që nga mesi i viteve 80-të me rezultatet pozitive, dhe shanset ekzistojnë për t’u rikthyer pas 25 vitesh në Kampionatin Europian.

Hungari-Islandë është një tjetër duel tej mase tërheqës. Hungarezët, në vitin 2016 iu rikthyen eventit europian pas 44 vitesh dhe kërkojnë që të jenë të pranishëm për të dytin edicion radhazi. Historia e së shkuarës është e pasur për hungarezët, që në vitin 1964 e mbyllën në vendin e tretë kompeticionin e zhvilluar në Spanjë, megjithatë ajo skuadër e artë nuk përsëritet më dhe synimi për momentin është pjesëmarrja. Dominik Szoboszlai rezultoi negativ ndaj COVID-19 dhe ndonëse udhëzimet e Sazlburgut ishin që ai të qëndronte i karantinuar, lojtari do të jetë në formacion, ndërsa në sulm përgjegjësinë më të madhe do ta ketë kapiteni Adam Szalai.

Islanda e Erik Hamren vijon të jetë në rrjedhën e një brezi dhe strategjie që ka funksionuar. Surprizë e Euro 2016, së bashku me Uellsin, pjesëmarrëse edhe në botërorin e Rusisë, skuadra vikinge kërkon të jetë për të dytën herë radhazi në histori në finalet e një Europiani. Asnjë mungesë për teknikun suedez, që së bashku me lojtarët e tij eliminoi pa shumë vështirësi 2-1 Rumaninë, për të mbërritur në këtë sfidë përfundimtare, ku gjithçka mund të ndodhë dhe nuk ka të favoritë.

Një tjetër duel i barabartë është ai mes Irlandës së Veriut dhe Sllovakisë. Do të jetë mjaft e luftuar sfida që do të zhvillohet në “Windsor Park” të Belfastit. “The Green and White army” nuk vijnë në maksimumin e formës, edhe pse eliminuan Bosnjë Hercegovinën me penallti në gjysmë-finale, pasi kanë 6 ndeshje pa fitore.

Ëndrra është më e gjallë se kurrë për të përsëritur rrugëtimin e mrekullueshëm në “Euro 2016”, ku jo vetëm siguruan për herë të parë pjesëmarrjen, por ia dolën të kalonin edhe fazën e grupeve. Një situatë jo optimale po kalon edhe Sllovakia. Trajneri Pavel Hapal në mënyrë befasuese u shkarkua vetëm 5 ditë pasi fitoi me penallti gjysmëfinalen ndaj Republikës së Irlandës dhe kjo ka turbulluar disi ujërat, teksa në këtë finale sllovakët do të drejtohen nga trajneri i përkohshëm, Stefan Tarkovic. Armët kryesore të trajnerit 47- vjeçar janë Marek Hamsik dhe Juraj Kucka, dy lojtarë me shumë përvojë, pa anashkaluar edhe sulmuesin e Omonia Nicosias, Michak Duris.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA