Opozita jashtëparlamentare: 3 argumente kundër ndryshimit të njëanshëm kushtetues për heqjen e koalicioneve

27/07/2020 17:24

Opozita jashtëparlamentare ka reaguar sërish në lidhje me ndryshimet kushtetuese duke dhënë tre argumente sipas tyre të forta kundër ndryshimeve të njëanshme për sa u përket heqjes së koalicioneve.

Sipas tyre PS është kundër dialogut, gjithëpërfshirjes dhe konsesusit. Reagimi i përfaqësuesve, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI  ka ardhur pas  reagimit të përfaqësuesit të maxhorancës, Damian Gjiknuri në lidhje me çështjen e ndryshimeve kushtetuese.

Reagimi i opozitës jashtëparlamentare:

I nderuar koleg,

Propozimi i PS për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës, të cilat lidhen me zgjedhjet, haptazi, dhunon Marrëveshjen e 5 Qershorit, si dhe Marrëveshjen Politike të 14 Janarit. Këto ndryshime kushtetutese, në veçanti, zhbëjnë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit, përmes të cilave, jo vetëm ruhen koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, por edhe çdo parti brenda koalicionit vazhdon të ruajë të drejtën dhe mundësinë të konkurojë me listat e veta të veçanta. Këto ndryshime të njënanshme të PS ndryshojnë drejtpërdrejt elementë thelbësorë të sistemit zgjedhor me impakt në rezultatin zgjedhor dhe, gjithashtu, ndryshojnë të gjithë procesin e administrimit zgjedhor.

Opozita e Bashkuar është shprehur qartë se NUK ËSHTË DAKORD me ndryshimet kushtetutese të njëanshme, që ju po përpiqeni të impononi, përmes një procesi të mbyllur dhe ku keni përjashtuar partitë politike të Opozitës, të cilat, edhe në zgjedhjet e deformuara të 2017, përfaqësojnë gjysmën e votuesve.

Edhe sot në Parlament, Kryeministri Rama u shpreh kundër dialogut dhe pro ndryshimit të njëanshëm kushtetutes, duke e quajtur atë çështje të mbyllur. Kjo tregon se përkundër vullnetit të Opozitës së Bashkuar për të vazhduar dialogun politik mes palëve në mirëbesim në Këshillin Politik, Partia Socialiste vazhdon të sillet me logjikën e “faktit të kryer”.

Kjo sjellje nuk është dialog politik, por e kundërta, përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik. Aktet tuaja përbëjnë po kështu dhunim flagrant të Marrëveshjes politike të 14 Janarit dhe të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Përmes akteve të njëanshme Partia Socialiste po përpiqet të imponojë rregulla të njëanshme të garës elektorale.

Është i gënjeshtërt pretendimi juaj se sipas jush: “Ekspertiza e ODIHR-it nuk mund të thirret për amendamentet kushtetuese sepse për to ne nuk kemi asnjë kontestim, për asnjë fjalë, për asnjë presje. Nuk kemi asnjë formulim konkurues, apo alternative”. Opozita e Bashkuar ka paraqitur zyrtarisht në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik kundërshtimim për ndryshimet e njëanshme kushtetuese të Partisë Socialiste, si dhe ka paraqitur zyrtarisht propozimin e saj, me qëllim gjetjen e konsensusit, që nëse kalohet në listat e hapura, atëherë të kalohet në një mekanizëm me lista të plota 100 % të hapura, me kusht që të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër sa i takon formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve.

Është i gënjeshtërt po ashtu pretendimi juaj se kërkesa jonë për hapjen 100% të listave të kandidatëve, me kusht që të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër sa i takon formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve, është sipas jush: “e adresuar si hapësirë e disponueshme në formulimin e kompromisit të draft-amendamenteve kushtetuese të cilat ndodhen në procedurën parlamentare. Edhe pretendimi për ruajtjen e medoemos të formulës aktuale të koalicioneve ka marrë një përgjigje në parim nga mazhoranca. Ne jemi gati ta shqyrtojmë këtë formulë, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura.”.

Propozimi juaj i njëanshëm kushtetutes e bën fakt të kryer:

  1. Mundësinë që hapja e listës të jetë vetëm për 2/3 e saj dhe jo 100 % e listës të jetë detyrimisht e hapur.
  2. Heqjen e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor, siç janë të garantuara sot në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe formulën e përllogaritjes së mandateve;
  3. Mundësinë për të ndryshuar ndarjen administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral.

Heqja nga Kushtetuta e koalicioneve parazgjedhore përbën ndryshim të njëanshëm të rregullave të garës, 8 muaj përpara zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ju impononi edhe formulën e koalicioneve që do të detajojë ligji, sepse ligji nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo nënkupton që heqja e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor nga Kushtetuta, imponon më pas automatikisht edhe heqjen e tyre si subjekt zgjedhor nga Kodi Zgjedhor, duke zhbërë në këtë mënyrë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Është e qartë se ju kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke ndryshuar elementët bazë të sistemit zgjedhor, që kanë impakt të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve. Ky akt i njëanshëm shkatërron konsensusin e arritur, sepse bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Sa më sipër, ju rikujtojmë se sa kohë palët nuk bien dakord, në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje në Këshillin Politik dhe palët politike duhet të vijojnë dialogun politik. Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”.

Për të gjitha sa më lart, ju bëjmë edhe njëherë thirrje të reflektoni dhe të jeni të hapur për të diskutuar bashkërisht dhe në mirëbesim në Këshillin Politik lidhur me këtë cështje, duke hequr dorë nga ndryshimi i njënashëm i hartuar dhe miratuar vetëm nga ju pa përfshirjen e Opozitës së Bashkuar. Opozita e Bashkuar ka ofruar një propozim për konsensus mbi këtë çështje, i cili është paraqitur zyrtarisht në mbledhjen e datës 24 Korrik dhe mbetet në pritje të shqyrtimit apo propozimeve tuaja eventuale, për të arritur në një produkt të përbashkët dhe konsensusal, në përputhje me detyrimet e palëve sipas Marrëveshjes së 14 Janarit dhe Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Opozita e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për dialog, ndaj ju ftojmë që edhe Partia Socialiste të heqë dorë nga refuzimi i dialogut i deklaruar nga Kryeministri Rama sot në Parlament, të hiqni dorë nga aktet e njëanshme dhe të jeni të hapur për dialog, që nesër në mbledhjen e rradhës së Këshillit Politik.

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA