Presidenti i Republikës ka nxjerrë sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, duke i hapur rrugë hyrjes së tij të menjëhershme në fuqi.

Më herët, Kreu i Shtetit kishte dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit, pas kërkesës së Kuvendit, i cili e kishte argumentuar urgjencën me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas argumentimit të Kuvendit, shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese kishte bërë që pagesat për gjyqtarët dhe prokurorët të mos mund të kryheshin që prej 1 gushtit 2026.

Pa hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja ligjore, Thesari i Shtetit nuk mund të procedonte me çlirimin e pagave për magjistratët.

Qëllimi i ligjit të ri është zhbllokimi i pagesave për gjyqtarët dhe prokurorët, përfshirë pagat e prapambetura nga 1 gushti 2026 dhe pagesat në vijim.

Sipas argumentimit zyrtar, hyrja në fuqi e ligjit përmes procedurës së zakonshme do ta vononte procesin me rreth 15 deri në 35 ditë. Për këtë arsye, Presidenti dha pëlqimin për hyrjen e tij të menjëhershme në fuqi.

Në qëndrimin e tij, Presidenti thekson se argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese që lidhen me masën e pagave mund të diskutohen edhe në instanca të tjera kompetente. Megjithatë, sipas tij, zhbllokimi ligjor i pagesave mund të bëhet vetëm përmes hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Presidenti e konsideron vendimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit si një masë që i përgjigjet një nevoje urgjente dhe që lidhet drejtpërdrejt me parimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Sipas Presidencës, garantimi i standardit të jetesës dhe qëndrueshmërisë së të ardhurave për gjyqtarët dhe prokurorët është pjesë e rëndësishme e garantimit të pavarësisë së magjistratëve.

Me dekretimin e ligjit, pritet të vijojë procedura për zhbllokimin e pagave të magjistratëve, të cilat kanë qenë të bllokuara që prej 1 gushtit.

Top Channel