Napoli konfirmon momentin e mirë që po kalon, pasi mbrëmjen e sotme arriti të triumfojë me rezultatin 1-2 në tranfertën e “Marassi”-t përballë Genoas, ndërsa me tre pikët e marra u rikthye sërish në vendin e pestë të renditjes.
Përballë një kundërshtari që po lufton për mbijetesë dhe e ka çdo ndeshje si një finale, djemtë e Gattusos nuk bënë asnjë tolerim, duke u angazhuar maksimalisht dhe marrë një tre pikësh të vuajtur, por plotësisht të merituar.
Mesfushori nga Maqedonia e Veriut zhbllokoi sfidën në minutën e 13’, por goli u anulua pas rishikimit të aksionit në VAR, për një prekje me dorë të grekut Kostas Manolas, që ndikoi në aksion.
Megjithatë napolitanët do ta mbyllnin pjesën e parë në avantazh, pasi Dries Mertens u shërbye saktë mbi vijën e 16 metrave nga Lorenzo Insigne dhe gjuajti bukur me të djathtën, duke dërguar sferën në cepin e portës së Perin.
Genoa e nisi me vrull pjesën e dytë dhe arriti të gjejë shumë shpejt golin e barazimit me anë të mbrojtësit Goldaniga, por vetëm kaq, sepse në minutën e 66’ Napoli shënoi sërish me meksikanin Lozano, ndërsa më pas mbrojti mirë rezultatin duke marrë tre pikë shumë të vlefshme.
Me humbjen e sotme Genoa mbetet në vendin e 18, që e çon direkt në Serinë B, ndërsa gara për mbijetesën pritet vërtetë e ashpër deri në fund të sezonit.
Sfida tjetër mes Fiorentinës dhe Cagliarit u zhvillua nën një ritëm të lartë dhe me disa raste për shënim për të dy skuadrat, që në fund u detyruan të marrin nga një pikë, pasi nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola.
Top Channel