Skuadra e Pejës pas dy fitoreve radhazi në Ligën Ballkanike, pësoi humbjen e parë, duke u mundur nga Academic Bultex 99 me rezultat 87:98 (24:26, 19:26, 17:29, 27:17).
Ndeshja ka qenë shumë interesante dhe basketbollistët pejanë dhanë maksimumin, por nuk arritën të triumfojnë në fund.
Edhe pse Peja e nisi ndeshjen më mirë, çereku i parë përfundoi 24:26 në të mirë të mysafirëve, që ishin më të mirë edhe në periodën e dytë 19:26.
Dallimi më i madh ishte në periudhën e tretë (17:29), ku skuadra bullgare thelloi epërsinë që shkoi më shumë se 20 pikë, derisa ishin të saktë në gjuajtjet për tre pikë. Në dhjetëminutëshin e fundit, lojtarët vendës dhanë maksimumin, duke e afruar epërsinë në vetëm dhjetë pikë, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe në fund pësuan me rezultat 87:98.
Te Peja u dalluan Henrik Sirko me 29 pikë, 14 kërcime dhe gjashtë asistime, derisa Drilon Hajrizi shtoi 25 pikë dhe dhjetë kërcime.
Te mysafirët më i miri ishte Shakir Smith me 31 pikë, 11 kërcime dhe dhjetë asistime.
Peja ka dy fitore dhe një humbje në Ligën Ballkanike, kurse skuadra bullgare tri fitore në tri ndeshje.
Top Channel