Nuk ka paqe për Milanin. Skuadra e Stefano Piolit është në pozita shumë të vështira në kampionat dhe pasi ndërroi tre herë trajnerin në 5 muaj, mund të ndërrojë sërish pronësinë.
Tashmë janë rishfaqur zërat për interesin e Louis Vuitton për blerjen e klubit kuqezi, zëra që janë intensifikuar pavarësisht përgënjeshtrimeve të Elliot në lidhje me këtë çështje.
Këtë radhë ajo që flet për këtë është e përditshmja italiane ‘Il Giorno’ sipas së cilës pronari i kompanisë së njohur të modës, Bernard Arnault do të kërkojë që të blejë klubin kuqezi brenda verës së vitit 2020 dhe i ka besuar Bankës londineze të investimeve Lazard, rolin e këshilluesit. Louis Vuitton ka mohuar zërat, por në ambientet pariziene vazhdon të flitet për interesin e kësaj kompanie për të zbarkuar në Milano kjo edhe për faktin se e tërheqin dinamikat e reja të ekonomisë evropiane.
Gjithnjë sipas ‘Il Giorno’, për momentin nuk ka asnjë ofertë nga ana e Louis Vuitton, por ekziston një kërkesë nga ana e Elliot, pronarit aktual të Milanit që është 1.2 miliardë Euro. Aksioneri i klubit kuqezi, në më pak se 2 vjet ka investuar rreth 700 milionë Euro te Milani dhe për këtë arsye i në muajt e kaluar refuzoi një ofertë prej 600 milionësh të bërë nga pronari i Spartës së Pragës, Daniel Kretinski.
Në këtë pikë, vendimtar duket se do të jetë stadiumi i ri, kështu që Elliot përpara se të nxjerrë klubin në shitje, do të kërkojë të përshpejtojë hapat e realizimit të projektit për të ndërtuar në impiant më modern dhe për të lehtësuar procesin e shitjes në kushte më avantazhuese
Top Channel