Në pritje të vendimit në Hagë, familjarët e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit hyjnë në gjykatë
Mbështetësve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbledhur para objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, u është kërkuar të zhvendosen nga hapësirat përreth ndërtesës, në pritje të shpalljes së aktgjykimit.
Vendimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të shpallet sot, në orën 10:00, me vendimin që do të bëhet i ditur veçmas për secilin prej të akuzuarve.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për përgjegjësinë e tyre.
Procesi gjyqësor në Hagë ka zgjatur më shumë se katër vite dhe ka përfshirë dëshmitë e mbi 100 personave. Prokuroria ka paraqitur provat e saj, ndërsa mbrojtja ka dëgjuar dëshmitarë dhe ka paraqitur argumente në kundërshtim me akuzat.
Në Kosovë, shpallja e aktgjykimit është shoqëruar me tubime në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa edhe në Hagë janë mbledhur mbështetës të tyre.

Top Channel