Kampionati italian i futbollit fillon të marrë formë. Tashmë është përcaktuar kalendari i sezonit të ri 2019/2020 dhe java e parë ka përcaktuar çifte interesante siç është sfida mes Fiorentinës dhe Napolit, ndërkohë që Juventusi do të nisë mbrojtjen e titullit me sfidën ndaj Parmës.

Dy ekipet milaneze Inter e Milan në javën e parë do të përballen respektivisht me Leçen dhe Udinesen.

Edhe java e dytë ka rezervuar sfida të forta sic është përballja mes Juventusit dhe Napolit dhe derbi mes Lazios e Romës. Derbi i Madonninës mes Milanit dhe Interit është parashikuar të luhet në javën e katërt, ndërsa ai mes Juventusit e Torinos do të luhet në javën e 11, një javë kjo që ka rezervuar edhe 2 sfida të tjera shumë interesante Roma-Napoli dhe Milan-Lazio.

Serie A do të nisë në 25 gusht dhe do të përfundojë në 20 maj të 2020. Gjatë këtij sezoni janë parashikuar 3 javë që do të luhen në mesjavë; në 25 shtator, 30 tetor dhe 22 prill, ndërsa do të ketë 5 ndërprerje për ndeshjet e kombëtareve në kualifikueset e Euro 2020. në të njëjtën kohë Serie A i rikthehet traditës që të çojë skuadrat në pushim në periudhën e fundvitit, pushim që do të nisë në 29 dhjetor e do të mbyllet në 5 janar.

Ndërkaq, ka ndryshime në orarin e sfidave. Përballjet e darkës ku përfshihen edhe ato të 2 javëve të para do të kthehen të luhen në orën 20:45, ndërkohë që sezonin e kaluar ato u luajtën në 20:30. përsa u përket orareve të tjera, konfirmohen ato të sezonit të kaluar.

Kështu të shtunave do të luhen 3 ndeshje në orën 15:00, 18:00 dhe 20:45. Të dielën do të ketë ndeshje në 12:30, në orën 15:00, një në orën 18:00 dhe sfida e darkës në 20:45.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA