Il Trovatore është opera që do të flasë në Ditën e Evropës. Vepra emblematike e periudhës së parë krijuese të Verdit do të vijë si premierë absolute dhe më e madhja e TKOB në Pallatin e Kongreseve që prej 7 majit. Ky është një produksion ndërkombëtar, i cili bën bashkë artistë të huaj dhe shqiptar. Me një skenografi ndër më të mëdhatë të realizuara ndonjëherë nga TKOB, ky produksion është një bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.
“Kjo vepër prezantohet në mbrëmjen e Europës. Duam të konfirmojmë që po ringrejmë brenda nesh paradigmën e qytetërimit evropian që përjashton frikën, mohimin, dhge sjell me vete besimin, pohimin e ndërsjelltë dhe integrimin. Të gjitha këto qëndrojnë së bashku pikërisht në premierën më të rëndësishme të sezonit Il Trovatore” – tha Zana Cela.
Aty ku ndërhyn politika, ku krijon barriera dhe kufij, muzika e madhe është ajo që i bashkon apo i shemb këto kufij. Dhe Verdi bashkoi jo vetëm italianët, por bashkoi Evropën, bashkoi edhe gjithë botën me melodinë e tij Ndaj sikundër milanezët e një kohe mund të themi: Rroftë Verdi, por mund të themi edhe Rroftë Europa” – thotë Alberto Cutillo.
“Është një kënaqësi shumë e madhe dhe nder që nesër të kemi praninë në premierë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë dhe zv. presidenten e Komisionit Evropian Znj. Federica Mogherini, e cila jo vetëm do të marrë pjesë në premierë, por edhe do të flasë në çeljen e saj.Është mjaft e qartë që në Shqipëri për javën e Evropës, ne nuk mund të gjejmë kurrsesi një simbol më Evropian, se sa Il Trovatore, për sa i përket kulturës” – tha Luigi Sereca.
Orkestra e TKOB në katër shfaqjet e operas “Il Trovatore” do të dirigjohet nga dirigjenti italian Sebastiano Rolli. Spanja e fillim shekullit të XV, është konkretizuar edhe nëpërmjet kostumeve të veçanta. Historia e dashurisë së Kontit di Luna me Leonorën dhe hakmarrja e Azucenës do të vijë nga zërat e Armando Likajt, Eva Golemit dhe Vikena Kamenicës.
Top Channel