Thesaret nën ujë ende të pazbuluara, ekspertët e arkeologjisë: Të rikthehen ekspeditat, nuk është bërë asnjë prej 26 vitesh

23/09/2026 19:58

Krahas nëntokës, një pasuri e madhe arkeologjike për vendin tonë fshihet nën ujërat e deteve dhe liqeneve. Por rrënojat që ruajnë dëshmi të së shkuarës mbeten të pazbuluara.

“Që nga 2000 nuk janë zhvilluar më ekspedita”, tha studiuesi Auron Tare.

Së pari duhet ndërgjegjësim për të kuptuar rëndësinë e arkeologjisë nënujore, thotë studiuesi Auron Tare.

“Ne jemi popull shumë detar dhe çdo gjë që gjejmë në det, mund ta marrim. Nuk të thotë gjë njeri, edhe polici po të pa. Nuk e kemi kulturën e rëndësisë që ka kjo trashëgimi nënujore”, tha studiuesi Auron Tare.

Janë dhjetëra anije të fundosura në brigjet shqiptare, disa prej të cilave mbi 2000-vjeçare, ndërsa të tjera mjete lundruese të luftës e më vonë. Pjesa më e madhe në ishullin e Korfuzit, tregon arkeologu Neritan Ceka.

“Anije që vinin nga Korkyra për të shkuar në Italinë e Jugut apo në drejtim të Durrësit, Apolonisë e Dalmacisë. Në dalje, kush ka bërë pushime e di fare mirë që drekë kthehen era dhe fryn fuqishëm, duke ngritur dallgë të jashtëzakonshme”, tha arkeologu Neritan Ceka.

“Të gjitha materialet që ne kemi, që janë me mijëra orë filmime apo fotografitë, nuk kemi ku i shfaqim”, tha studiuesi Auron Tare.

Në një konferencë në Akademinë e Shkencave, Auron Tare kërkoi vijimin e ekspeditave nënujore dhe mbrojtjen ligjore të zonave ku ka zbulime.

“Mbrohen me kuadrate që i jepen rojes bregdetare dhe aty nuk lejohet asnjë anije të qëndrojë. Dhe roja bregdetare e kontrollon. Kroacia, për shembull, përdor kafazë hekuri dhe këto zona mirëmbahen e mbrohen nga shteti”, tha studiuesi Auron Tare.

Shqipëria nuk ka ende një muze të dedikuar vetëm për arkeologjinë nënujore, ndërsa studiuesit propozojnë ide konkrete…

“Ka një mënyrë kur ti ke një ekran shumë të madh dhe vijnë njerëzit shikojnë live se çfarë po ndodh poshtë. Shembull është Bodrumi, që i gjithë zbulimi prezantohet i plotë me të gjitha objektet që janë gjetur”, tha studiuesi Auron Tare.

“Nëse ne nuk ndërtojmë muzeun me laboratorin, besoj se do gjejmë vetëm copa qeramike, asgjë tjetër”, tha arkeologu Neritan Ceka.

Top Channel