Plagosje me thikë 49-vjeçari pranë ‘Petro Ninit’ në Tiranë, arrestohet autori
“Mirëmbrëma, jam Roberto Mollo. Kam pasur hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”. Këto janë fjalët e para të telefonatës që një 35-vjeçar nga Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali, bëri në numrin e emergjencës 112, pasi qëlloi ndaj një grupi grabitësish që tentuan të hynin në banesën e tij.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 shtator. Sipas hetimeve, Roberto Mollo, i cili punon si shofer kamioni, ka qëlluar 13 herë me armë zjarri ndaj personave që po tentonin një vjedhje në një shtëpi në rikonstruksion ku ai jetonte.
Një prej plumbave goditi 36-vjeçarin Gjovalin Lasri, i cili humbi jetën.
Telefonata e Mollo-s me 112 është bërë publike nga “Tg1”, ku dëgjohet ai duke i shpjeguar operatorit situatën.
“Kam pasur frikë, jam i dëshpëruar. Po më silleshin nëpër shtëpi”, dëgjohet të thotë ai.
Më pas komunikimi kalon te karabinierët, të cilëve 35-vjeçari u thotë se ishte i armatosur dhe se kishte reaguar për t’u mbrojtur.
“Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur”, u shpreh ai.
Kur u pyet nëse kishte qëlluar me armë, Mollo u përgjigj: “Po, i qëllova”.
“Ky person ishte i maskuar, ishte jashtë në oborr. E mbylla derën, por u tremba dhe qëllova”, shtoi ai.
Sipas autoriteteve italiane, 36-vjeçari Gjovalin Lasri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës. Ai kishte veshur një kapuç, doreza dhe mbante një elektrik dore.
Gjatë kontrollit, në xhepat e tij u gjet edhe një kaçavidë, ndërsa kishte me vete rreth 2 mijë euro. Hetuesit po verifikojnë nëse paratë mund të lidhen me grabitje të tjera, shkruan Corriere.
Sipas dyshimeve të para, grupi që kishte vepruar në Baldissero d’Alba mund të ketë qenë pjesë e një bande “grabitësish në lëvizje”, të cilët udhëtojnë në zona të ndryshme dhe kryejnë disa vjedhje brenda së njëjtës natë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë edhe personat e tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit.
Top Channel