Mevlan Shanaj denoncon Ilir Butkën: Keni parë ndonjë film të këtij regjisori? Në art mbeten veprat, jo postet Teatri Eksperimental çeli sezonin e ri artistik me premierën absolute të dramaturgut kanadez Frank Moher.
Protagonistja, Dejzi, interpretuar nga Adriana Tolka përballet me vizitën e papritur të një djali, që vjen në skenë nga Kleard Gërmenji, që pretendon se është i biri. Çfarë ndodh kur e shkuara troket papritur në derë? Fqinja, interpetuar nga Albana Përhati trazon më shumë situatën me historinë e saj të pabesueshme.
“Është një rol që do ta donte çdo aktore në karrierë. Mendoj që të jep mundësinë të shpërfaqesh në një dimension të gjerë aktorial. Në thelb, shfaqja është surrealiste, por komunikimi ynë është realist. Secili nga ne duhet të ndalet herë pas here në intimitetin e vetë dhe të flasë me veten. Të kujtojë momentet më pikante të jetës”, thotë aktorja Adriana Tolka.
“Më ka pëlqyer ky rol që ditën e parë që ma kanë propozuar. E kam shijuar shumë”, shprehet Albana Përhati, aktore.
Një teatër absurd që ngre pikëpyetje të mëdha, cila është e vërteta apo përjeton mendja një rreng psikologjik kur përballet me ndërgjegjen?
Nën regjinë e Endri Çelës, “Big Baby” ndërthur humorin e zi dhe situata absurde që pasqyrojnë shoqërinë e sotme. Krahas lojës aktoriale, këtë e bën përmes skenografisë dhe kostumografisë, ku dominon boshllëku dhe bardhësia që transmetojnë frikërat dhe pasiguritë e personazhe….
“E vërteta është ajo që unë dhe ti mendojmë. Kjo shfaqje guxon të ngacmojë të vërtetën dhe të ngrejë pikëpyetje të mëdha ekzistenciale. Vepra thotë: kush e tha që ajo që ti mendon, është normale në këtë jetë. Shoqëria jonë ka kaluar në një tranzicion të madh, një shoqëri me norma dhe moral por që është futur në një sistem të fortë. Njerëzit e kanë të vështirë të dalin nga ky sistem, por kush tha që ai sistem është i përsosur apo mënyra si ne po lëvizim në sistem është e duhura?”, shprehet regjisori Endri Çela.
Vepra do të mirëpresë sërish publikun në Teatrin Eksperimental në datat 24-27 shtator.
Top Channel