Regjisori Joni Shanaj ka ngritur shqetësime lidhur me pavarësinë e institucioneve të kulturës, duke u ndalur veçanërisht te Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK).
Në një reagim të tij, Shanaj kritikon mënyrën se si drejtohet institucioni dhe sjell në vëmendje marrëdhënien mes drejtuesve të QKK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa shprehet kundër asaj që e konsideron si politizim të institucioneve të pavarura.
“Kemi të bëjmë me një institucion të pavarur. Ngjan me këto institucionet e drejtësisë. Nëse Shqipëria do të ketë apo jo një institucion të pavarur, shiheni te kinematografia. A funksionojnë dot institucionet e pavarura në Shqipëri apo jo, në rastin e QKK-së, është e mbrojtur dhe ka back-up nga një ligj që i ruan indipendencën. Tani ku qëndron problemi?
Ky drejtori i fundit, që është një djalë i ri, ky është bërë simbiotik me ministrin e Kulturës. Por s’e kupton ministri që kryetari i QKK-së s’ka punë fare që t’i rrijë pullë poste ministrit. Nuk ka punë të jetë militant, nuk ka punë të jetë patronazhist. Këta kanë një trysni nga qeveria për të deklaruar suksese, evente, aktivitete, çmime, kupa dhe këta nuk dinë ç’të bëjnë për propagandë. Bëjnë sikur është ent i qeverisë, kur nuk është i tillë. Këta nuk e kuptojnë që ligji është shkruar përpara se të vinte qeveria. Institucioni ekziston për shkak të një ligji që është shkruar 30 vite përpara. Thjesht fare ngre buxhetin. Kështu mund ta ndihmojë qeveria dhe kryeministri sektorin e kinematografisë.
Problemet e filmit shqiptar nuk vijnë për shkak të ligjit. Vijnë për shkak të formimit që kanë autorët shqiptarë dhe të formimit që kanë politikanët shqiptarë dhe të formimit që kanë njerëzit me influencë në Shqipëri.
Vërtet ka një problem me drejtorët. Vërtet ka Shqipëria një problem me psikologjinë e drejtuesve, me njerëzit që vijnë në krye të institucioneve. Këta synojnë atë pozicionin për shkak të posturës që i duket aty, sikur janë në krye të vendit dhe të gjithë kanë hyrë aty me një kompozitet që tani do bëjmë ndryshime”, tha ndër të tjera Shanaj.
Ndërkohë, postimin e tij, regjisori e shoqëroi me: “Kapja e plotë të shtetit dhe si relatohet kjo me tentativën për abrogim të ligjit aktual të kinematografisë.
Mbi tentativat e vazhdueshme për kapjen e plotë të ligjeve të Republikës nën tymnajën e rrëmujës propagandistike të përdorimit politik të çdo institucioni publik.
Mbi pavarësinë e institucioneve, vendosjen në krye të patronazhistëve me pasojë shkatërrimin absurd të çdo përgjegjësie për çdo trashëgimi.
Më poshtë versioni i përmbledhur i një sqarimi më të plotë (postuar mbrëmë) mbi shembullin më përfaqësues emblematik (ekstremisht të panevojshëm dhe të evitueshëm) të fenomenit aktual mbizotërues të shkatërrimit në çdo skaj të vendit nga marshimi i pandalshëm i arrogancës propagandistike: QKK (Qendra Kombëtare e Kinematografisë) si rast studimor”.
Top Channel