“Hyseni tregoi që Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH”, gazetari Muhamed Veliu në ‘Top Story’: Nuk do merret vesh ndonjëherë, SPAK nuk mundet…

23/09/2026 23:03

Një masë arresti për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe kontrolli i banesës së një prej zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit ishin goditja e fortë që tronditi opinionin publik në 24 orët e fundit. Por goditja nuk ishte vetëm institucionale.

Menjëherë pas arrestimit të Vlora Hysenit, në media nisën të qarkullojnë pjesë të dosjes hetimore, duke nxjerrë në dritë komunikime të saj me Ergys Agasin, një prej personave të arrestuar në dosjen e AKSHI-t.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, është shprehur sot në Top Story se SPAK nuk do ta vërtetojë asnjëherë nëse Ergys Agasi ka qenë bashkëpunëtor i SHISH.

Sipas tij, edhe nëse SPAK troket në derën e SHISH për të siguruar këtë informacion, nuk mund ta marri pasi nuk e lejon ligji.

“Ky zhvillim e ka shqetësuar maxhorancën. Pas shkarkimit të Hysenit, Rama dje ka zhvilluar një mbledhje online me të gjithë ministrat, ku ka kërkuar më shumë vigjilencë me akshin dhe dokumentacionin.

Ka disa të panjohura, sidomos në dokumentin 9 faqe që u gjet te makina e Agasit. Nuk e dimë të gjithë dosjen. Mendoj që në këtë moment zonja Hyseni ka gabuar, ajo nuk duhet të tregonte nëse Agasi ka qenë bashkëpunëtor i SHISH-it apo jo, sepse bashkëpunëtorët janë nën sekret shtetëror. Atë e di vetëm ai që e ka rekrutuar dhe shefja e shërbimit. Ajo e ka përdorur këtë për të mbrojtur veten.

Ajo ka treguar që Agasi është bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Shtetëror. Nuk duhet ta tregonte. Prokurorët e SPAK-ut nuk do arrijnë dot të vërtetojnë nëse Agasi ishte bashkëpunëtor, pasi ia ndalon ligji, nëse ata do trokasin te dera e shërbimit për dosjen e Agasit, nuk do ia japin, nuk do merret vesh ndonjëherë”, u shpreh Veliu.

Top Channel