36-vjeçari shqiptar u vra në Itali teksa po vidhte, flet bashkëshortja: Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar

23/09/2026 13:09

Gjovalin Lazri me origjinë shqiptare, mbeti i vrarë gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës në Baldissero d’Alba, në zonën e Cuneos, Itali.

36-vjeçari dyshohet se ishte pjesë e një grupi personash që kishin hyrë për të vjedhur në një banesë në rikonstruksion. Për ngjarjen, Prokuroria ka regjistruar si person nën hetim Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i objektit. Atij i është atribuar akuza për vrasje me dashje.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe bashkëshortja e Gjovalin Lazrit, e cila ka përcjellë një deklaratë përmes avokates së saj.

“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por unë dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe të këqij. Njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë që bëjnë mirë të qëllojnë”, është shprehur ajo.

“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Duhet të dalë e gjithë e vërteta. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka shtuar gruaja.

Kush ishte Gjovalin Lazri?

Gjovalin Lazri ishte 36 vjeç dhe me origjinë nga Shqipëria. Ai ishte larguar nga vendi dhe ishte vendosur në periferi të veriut të Torinos, së bashku me familjen.

Ai punonte si banakier dhe sipas fqinjëve dhe klientëve të lokalit ku punonte, njihej si një person i qetë dhe i rezervuar.

“Një familje e mirë, jashtëzakonisht të rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë deklaruar fqinjët pas tragjedisë.

Edhe një klient i lokalit ku punonte Lazri është shprehur i befasuar nga akuzat se ai mund të ishte përfshirë në vjedhje.

“Më vjen keq. Nuk e dija që merrej me këto gjëra këtu, me vjedhje. Më duket e çuditshme, nuk e prisja”, ka thënë ai.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e saktë të ngjarjes dhe rrethanat në të cilat 36-vjeçari humbi jetën. Familja e Lazrit kërkon që të zbardhet e gjithë e vërteta dhe që çështja t’i lihet drejtësisë.

Top Channel