Kundërshtari politik e ftoi të dialogojnë për reformën zgjedhore, por edhe pse po ecën në të njëjtën rrugë si në 2017 Lulzim Basha e bëri të qartë se nuk do ulet me Edi Ramën: “Parakushti i parakushteve për një dialog të vërtetë është largimi i Edi Ramës. Pa largimin e tij nuk ka dialog”.
Demokratët mandatuan kryetarin Basha dhe Sekretarin e Përgjithshëm Bardhi për të negociuar marrëveshjen me aleatët opozitarë për zgjedhje të lira si dhe detyrat dhe mandatin e qeverisë tranzitore.
“Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.”
Teksa afatet ngushtohen dhe mazhoranca është e vendosur që zgjedhjet do të mbahen në datën e dekretuar nga kreu i shtetit, demokratët e “kërcenojnë” me prishjen e procesit zgjedhor.
“Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.
Kryesia vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar mandatimin e kryedemokratit Basha dhe sekretarit të Përgjithshëm Bardhi për të negociuar me aleatët opozitare marrëveshjen për zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe mandatin dhe detyrat e qeverise tranzitore.
Ndërkohë një vendim kryesia mori edhe për përjashtim nga të gjitha funksionet e partisë të kandidatëve të ashtuquajtur “tradhtar” të cilët po pranojnë të ulen në Kuvend.
KRYESIA E PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI T’I PROPOZOJË KËSHILLIT KOMBËTAR QË:
1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Top Channel