Bashkimi Europian e vendos përfundimisht reformën e së drejtës së autorit, e cila ka ngjallur prej kohësh debate të mëdha në gjirin e bllokut.

Në votimin e tyre të fundit, shtetet anëtare e konfirmuan projektin në shumicë; 6 ishin kundër dhe 3 abstenuan.

Eurodeputetët e kishin treguar që në fund të marsit se, e drejta e autorit e hartuar para 20 vitesh duhej reformuar.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, qeveria gjermane ra dakord në minutën e fundit për ta mbështetur këtë reformë. Koalicioni i gjerë partiak, në pushtet në Gjermani, pati vështirësi me disa pjesë paragrafësh që konsideroheshin të paqartë.

Në deklaratën protokollare, qeveria gjermane shprehet edhe më tej kundër përdorimit të fshirjeve automatike me të ashtuquajturit filtra të ngarkimit në internet. Por, përdorimi i tyre nuk përjashtohet.

Kundër pjesëve të reformës pati protesta të mëdha, para së gjithash në Gjermani. Rregullat e reja parashikojnë që platforma interneti si Google, YouTube dhe Facebook t’i bllokojnë në të ardhmen përmbajtjet e palicencuara, ose të jenë të detyruara t’i fshijnë ato.

Kritikët, ndërkohë, paralajmërojnë për rrezikun e censurës. Filtrat, sipas tyre, mund të heqin më tepër nga sa është e nevojshme, ndërkohë që tani ato përdoren për fshirjen e përmbajtjeve të urrejtjes në rrjetet sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA