Minutat e fundit të Giorgos Mazonakis/ Zbardhet kronologjia e makinës së plazmaferezës, nga aktivizimi te alarmet dhe thirrja në urgjencë
Anija më e madhe e pasagjerëve tërësisht elektrike në botë ka mbërritur në Uruguai nga Australia, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt transportit detar më të pastër në Amerikën Latine.
Trageti, i quajtur “China Zorrilla”, do të operohet nga kompania e transportit detar Buquebus në linjën mes Colonia-s, qytetit historik kolonial në brigjet e Rio de la Plata dhe Buenos Airesit në Argjentinë.
Anija ka kapacitet për të transportuar deri në 2,500 pasagjerë dhe 225 automjete. Investimi për ndërtimin e saj arrin në rreth 200 milionë dollarë, me financim të pjesshëm nga Banka Botërore.
Trageti pritet të nisë operimin në linjën rreth 60 kilometra të gjatë mes dy brigjeve në mesin e tetorit.
Për të mundësuar funksionimin e anijes elektrike, si porti i Buenos Airesit ashtu edhe ai i Colonia-s janë pajisur me stacione të posaçme karikimi. Energjia ruhet në katër bateri gjigante me kapacitet të lartë, të cilat furnizojnë tetë motorët elektrikë të tragetit.
Sipas kompanisë, projekti për krijimin e linjës së parë të transportit të operuar nga një anije tërësisht elektrike në Amerikën Latine nisi menjëherë pas pandemisë së COVID-19.
“China Zorrilla” është ndërtuar me alumin detar me rezistencë të lartë në kantierin Incat Tasmania në Hobart të Australisë.
Pas përfundimit të ndërtimit, trageti u ngarkua në një anije të specializuar për transportin e ngarkesave të rënda dhe përshkoi më shumë se 15,000 kilometra për të mbërritur në portin e Colonia-s në Uruguai.
Hyrja në shërbim e tragetit synon të reduktojë ndjeshëm përdorimin e karburanteve fosile në një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të pasagjerëve mes Uruguait dhe Argjentinës.
Top Channel