Kompania franceze Mistral po shndërrohet në rivalin kryesor europian të gjigantëve amerikanë të inteligjencës artificiale.

Kompania njoftoi sigurimin e tre miliardë eurove në një raund të ri financimi, i cilësuar si më i madhi në historinë e teknologjisë europiane. Marrëveshja e çon vlerën e Mistral në mbi 21 miliardë euro, thuajse dyfish krahasuar me një vit më parë.

Financimi u udhëhoq nga Samsung Electronics dhe do të përdoret për kërkimin shkencor, zhvillimin e produkteve, zgjerimin e infrastrukturës dhe hyrjen në tregje të reja ndërkombëtare. Drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi Arthur Mensch deklaroi se kompania synon të ecë më shpejt, duke u mundësuar bizneseve përdorimin e inteligjencës artificiale me të dhënat dhe kushtet e tyre.

Ndryshe nga shumë platforma amerikane, Mistral u ofron kompanive mundësinë që modelet dhe informacionet të qëndrojnë brenda sistemeve të tyre. Kjo qasje ka rritur interesin e institucioneve dhe sipërmarrjeve europiane që kërkojnë më shumë siguri dhe sovranitet digjital.

Pas Europës, kompania synon të zgjerohet edhe në Lindjen e Mesme, Azi dhe Amerikën e Veriut.

 

Top Channel