Rrjetet sociale po shkojnë drejt një epoke të re kontrolli. Drejtori Ekzekutiv i Snap Inc. (kompania mëmë e Snapchat), Evan Spiegel, ka deklaruar se platforma është “e gatshme të zbatojë” kufizime kohore për përdoruesit e rinj dhe adoleshentët.

Intervista e dhënë për BBC vjen në një moment kur presioni ndaj gjigantëve të teknologjisë ka arritur kulmin, pas padive të shumta për krijimin e varësisë te të miturit dhe krizës së shëndetit mendor.

Lëvizja e Snapchat vjen pas një marrëveshjeje miliardëshe të vendosur në Shtetet e Bashkuara. Kompania Meta (pronare e Instagram dhe Facebook) pranoi të paguante 12.7 miliardë dollarë dhe të vendoste një limit të detyrueshëm ditor prej dy orësh për adoleshentët, pas akuzave se aplikacionet e saj ishin projektuar enkas për të krijuar varësi. Më pas, Meta bëri thirrje publike që edhe platformat e tjera të ndiqnin të njëjtin shembull.

I pyetur nëse Snapchat do të vendosë një afat të paracaktuar kohor, Evan Spiegel u përgjigj se ky është një shembull vërtet i mirë i diçkaje që ata do të ishin të gatshëm ta zbatonin. Megjithatë, kreu i Snap nuk ka dhënë ende një afat kohor se kur ky vendim do të hyjë zyrtarisht në fuqi, duke theksuar se kjo çështje është duke u diskutuar brenda kompanisë. Deri më tani, Snapchat ka ofruar vetëm mjete kontrolli në “Qendrën Familjare”, ku prindërit mund të monitorojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre.

Përveç çështjes së adoleshentëve, Snap ka bërë bujë me prezantimin e syzeve të reja inteligjente të pajisura me Inteligjencë Artificiale, të quajtura Specs. Pajisja kushton plot 2,195 dollarë në SHBA dhe 1,995 paund në Britani, duke u drejtuar fillimisht te zhvilluesit dhe adhuruesit e teknologjisë. Ato mund të transmetojnë video, të japin rekomandime të bazuara në rutinën e përdoruesit dhe të ofrojnë përkthim të drejtpërdrejtë në 60 gjuhë.

Për të shmangur skandalet që kanë përfshirë konkurrentët si Meta, të cilat janë kritikuar për përdorim të fshehtë nga qytetarët për të filmuar njerëz pa leje, Snap ka vendosur një dritë të bardhë sinjalizuese që ndizet automatikisht sapo pajisja nis të regjistrojë video ose të bëjë foto.

Top Channel