Kryeqyteti pret edhe këtë vit të ri akademik studentët nga rrethet, një pjesë e mirë e të cilëve shohin si zgjedhje më të përshtatshme për të banuar në konviktet e Qytetit Studenti. Top Channel ka bërë një vëzhgim brenda godinave të rezidencës universitare studentore nr.1 në Tiranë, për të parë se çfarë ofron kjo rezidencë dhe kushtet në të cilat ata jetojnë.

Janë 27 godina të ndara sipas gjinisë ku banojnë rreth 5000 studentë. Edhe këtë vit pagesa 4 500 lekë në muaj, është arsyeja që i mban aty, pasi kushtet nuk janë përmirësuar. Një dhomë rreth 20 metra katror për dy studentë nëse je me fat, në të kundërt do të pranosh ta ndash edhe me një të tretët. Gatimi nuk lejohet brenda në dhomë, por kur ngrohja nuk sigurohet në këto ambiente, mes rrezikut pajisja me një furnellë u shërben edhe për të gatuar dhe për të mos patur ftohtë në dimrin që i pret.

Gjumi nuk bëhet i qetë në dyshekët me njolla, të grisur apo dyshekë të tjerë që u kanë dalë sustat. Një problem i ditur nga të gjithë studentët mbeten tualetet, të cilat janë të përbashkëta. Një vit i ri shkollor mes papastërtisë dhe orareve për të bërë dush.

Një nga dhomat e Godina 16 ishte ‘shtëpia’ e 22-vjeçares nga Dibra, Lorena Manjani për dy vjet.

“Duket që nga pamja e jashtme që nuk është investuar fare që nga viti i kaluar. Besoj se dhe kushtet brenda janë po njësoj, me dyshekë të copëtuar, me myk, me dushe me orare e të gjitha problemet e tjera që kemi pasur gjithmonë”, shprehet ajo.

Këtë vit, konvikti nuk do të jetë më vendi ku Lorena do të jetojë. Një dhomë me qira, në zonën Kodra e Priftit, është zgjidhja më e mirë për të dhe 3 shoqet e saj. Qiraja prej 20 000 lekësh ndahet mes tyre.

“Kushtet e papërshtatshme në konvikt më detyruan që të marr shtëpi me qira dhe të jetoj me shoqet e mia. E ndjej ndryshimin sepse në shtëpi i kemi të gjitha kushtet, ndërkohë që në konvikt nuk kishim as kushtet minimale për një jetesë normale. Për kushtet jam ankuar gjithmonë por që kjo nuk ka marrë zgjidhje asnjëherë”, thotë Lorena Manjani.

Dhe siç Top Channel tregoi, kushtet e jetesës në godinat e konviktit më të madh në kryeqytet nuk kanë ndryshuar as këtë vit. Si studente e vitit të parë, Ina mbeti e zhgënjyer me jetesën atje dhe e braktisi atë. 18-vjeçarja tregon se nëse nuk do të ndikoheshin nga kushtet ekonomike të gjithë studentët e tjerë do të vepronin njësoj.

“Nuk mund të rrija më shumë se dy javë, ishte e papërballueshme. Unë e shoh që të ardhurat e studentëve nuk mund ta përballojnë ashtu si unë u transferova në një shtëpi me qira, dhe kjo është arsyeja pse ata vazhdojnë të qëndrojnë aty, por jo për shkak të zgjedhjes së tyre dhe këtë e garantoj. Kushtet nuk kanë as kërkesën minimale që do donte një student, lagështi në dhomë,përpos dyshekëve që mund të shkaktojnë dëmtime të shtyllës kurrizore apo sëmundje të ndryshme”, thotë Ina Aderi.

Top Channel