Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të akademikut Luan Omari, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari bëri të ditur se në ceremoni ishte i pranishëm së bashku me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi. Hajdari e cilësoi Omarin si një figurë të shquar të historisë dhe akademisë shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tij në shkencë, jurisprudencë dhe jetën akademike.
Ai kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e akademikut në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe rolin e tij në fushën e së drejtës kushtetuese.
“Lamtumirë Akademik, Profesori jonë i nderuar, Luan Bahri Omari!
Sot, si Prefekt i Qarkut Tiranë, së bashku me n/ Kryetarin e Bashkisë Tiranë Z. Sadi Vorpsi, përcollëm me nderim figurën e shquar, akademikun Luan Omari.
Mora pjesë në ceremoninë mortore, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej pjesëmarrësve aktive të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe një figurë ikonike e së drejtës kushtetuese në Shqipëri.
Kontributi i tij i vyer në shkencë, jurisprudencë dhe jetën akademike, do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare dhe një vlerë e çmuar për brezat që vijnë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe komunitetit akademik.
Mirënjohje dhe respekt të përjetshëm për veprën e tij. I paharruar qoftë kujtimi”, shkruan Hajdari.
Top Channel