Flamurtari fitoi 1-0 ndaj Tiranës në ndeshjen që mbylli javën e 9 të Kategorisë Superiore, dhe që ringjiti skuadrën bregdetare në zonat e larta të renditjes. Në një 90-minutësh ku trajneri Ardi Mema sfidonte ekipin vendas dhe mësuesin e tij Ilir Daja, triumfuan vlonjatët me një gol në fraksionin e dytë.

Greca testoi kuadratin e mbrojtur nga Kolici në minutat e para ndërsa Bushic provoi të njëjtën gjë, por pa sukses. Në pjesën e parë rastet e vërteta munguan ndërsa pas pushimit, formacioni vendas ngulmoi më shumë drejt portës së Ilion Likës. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi gjithsesi nga një rrëmujë në prapavijën e kryeqytetasve.

Turtulli dhe Hoxhallari krijuan një situatë krejtësisht të evitueshme në të cilën përfshinë dhe portierin Lika, duke i dhënë mundësinë sulmuesit brazilian Danilo Alvesh, për të shënuar me kuadratin bosh. Minutat në vazhdim Flamurtari administroi avantazhin që e çon në kuotën e 14 pikëve ndërsa Mema provoi humbjen e parë, në ndeshjen e parë në stolin e bardhebluve.

U zyrtarizua ndërkohë dhe kalendari i javës së 10, ku spikat superndeshja Partizani-Skënderbeu që do të luhet të hënën në orën 19:00 në stadiumin Selman Stërmasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA