Argjentina po përgatitet për një moment emotiv në këtë pauzë të ndeshjeve të kombëtareve. Kjo sepse do të jetë hera e parë që skuadra e Lionel Scalonit do të zbresë në fushë që pas humbjes në finalen e Botërorit ndaj Spanjës, sepse ajo ndaj Benin do të jetë ndeshja e fundit e Lionel Messit me fanellën e Argjentinës dhe sepse vetë trajneri nuk e ka vendosur nëse do të vazhdojë të jetë në pankinën e 3 herë kampionëve të botës apo jo.

Përsa i përket kësaj çështje të fundit, gjithsesi pas disa muajsh në dyshim, bisedimet me AFA kanë avancuar drejt një akordi që do të lejonte që ai të zgjaste qëndrimin e tij. Drejtuesit e Federatës me në krye presidentin e saj Claudio Tapia synojnë që të mbajnë trajnerin aktual të skuadrës Albiceleste dhe t’i japin vazhdimësi projektit.

Propozimi që i është bërë Scalonit është një kontratë me formatin 2+2 që do të thotë, rinovim me dy vjet me opsion zgjatjen e saj edhe për 2 vjet të tjerë. Në këtë mënyrë Scaloni do të kishte të garantuar vendin e tij në kombëtare në ciklin e ri që mund të zgjatet deri në Botërorin e 2030. Për më tepër kjo formulë do të lejonte të dyja palët që të përballeshin me të ardhmen në mënyrë progresive. Sipas informacioneve që vijnë nga Argjentina, AFA e konsideron të rëndësishme ruajtjen e linjës së punës që është vendosur në vitet e fundit ndërsa formati i kontratës do të ofronte mundësi për të vlerësuar situatën e projektit me avancimin e kalendarit.

Një ndër aspektet që lehtëson bisedimet është diferenca jo e madhe mes palëve në lidhje me planifikimin sportiv. Burime të cituara në informacionet e publikuara flasin për një mirëkuptim mes Scalonit dhe Claudio Tapias në lidhje me metodën e punës dhe përbërjen e stafit teknik. Në këtë mënyrë trajneri dhe presidenti i AFA mbajnë një kanal direkt komunikimi për të konkretizuar detajet e fundit.

Qëndrimi i Scalonit në pankinën e Argjentinës do të thoshte zgjatje e një cikli që e ka bërë trajnerin një prej figurave qendrore të epokës së fundit të kombëtares Albiceleste. Që nga momenti kur mori drejtimin e Argjentinës, skuadra me kapiten Lionel Messi ka fituar dy Kupa Amerike në 2021 dhe 2024, Botërorin 2022 dhe Finalissima 2023.

Top Channel