Për shumicën e njerëzve anembanë botës, nëse përmend emrat Kim Jong-un, Kim Jong-il dhe Kim Il-sung, mendja e tyre do të shkonte menjëherë vetëm te 3 persona!

Por, çfarë mund të ndodhë dhe si mund të ndihen shtetas të tjerë, zakonisht në Korenë e Jugut, të cilët janë rritur duke pasur të njëjtat emra si të udhëheqësve koreano-veriorë?

Kjo video e publikuar nga reporterët Tessa Wong dhe Jungmin Choi, të “BBC Korean”, do t’iu shkrijë së qeshuri…

“Emri im është i përjetësuar mbi suvatë e të gjitha rrugëve të Penianit”, thotë një person i quajtur Kim Jong-il.

“Në Korenë e Veriut ekziston vetëm një person me emrin tim. Nuk është një emër madhështor, por tejet i njohur. Një emër me shumë ndikim”, shprehet personi tjetër me emrin Kim Jong-un.

“Quhem Kim Il-sung”, thotë personi i tretë…

Por, si mund të ndihesh teksa rritesh në Korenë e Jugut me të njëjtët emra si ato të udhëheqësve koreano-veriore?

“Prindërit e mi mund të mos jenë kujdesur shumë për emrin tim. Kurrë nuk më ka pëlqyer emri që mbaj. Sigurisht që më ka shkuar ndërmend t’i pyes se, përse më kanë vendosur këtë emër. Më bën të ndihem keq, të them të drejtën”, shprehet Kim Jong-ili koreano-jugor.

“Në të kaluarën mund të jetë konsideruar si një emër i bukur. Ndoshta si një emër mashkulli që tingëllon si i një femre. Pak vite më parë, njerëzit nisën të më quanin partneri i udhëheqësit, ose Kim Jong-un, i dashur kryetar”, thotë Kim Jong-uni koreano-jugor.

“Nëse do të kisha marrë ndonjë post qeveritar, sigurisht që do ta kisha ndryshuar emrin tim. Madje edhe nëse do t’i hyja politikës. Por si mund ta bëja diçka të tillë me një emër si Kim Il-sung? Si mund t’iu kërkoja njerëzve të votonin për mua? Do të ishte thjesht qesharake”, deklaron Kim Il-sungu koreano-jugor.

“Kur e prezantoj vetveten si Kim Jong-il, njerëzit shtangen dhe psherëtisin: Huh?! Seriozisht?”, vijon rrëfimin njëri prej qytetarëve koreano-jugorë ( i pari) me emrin e një prej udhëheqësve të Koresë së Veriut.

“Mjafton ta dëgjosh njëherë dhe nuk mund ta harrosh kurrë emrin tim”, thotë koreano-jugori i tretë më i vjetër në moshë.

“Po, është shumë i lehtë për t’u mbajtur mend nga njerëzit”, shprehet shtetasi i dytë në video.

“Kam një shtëpi pritjeje, ku takoj shumë njerëz që vijnë si turistë në Kore. Njëri prej tyre quhej Kim Jong-il (i dyti koreano-jugor). Njëri ia behu menjëherë duke thënë: Ua, këta janë dy nga njerëzit më të frikshëm në botë! (qesh Kim Jong-uni koreano-jugor)”.

“Kam pasur një koleg të quajtur Kim Jong-il (thotë Kim Il-sung) dhe isha eprori i tij. Ndihesha fiks si në Korenë e Veriut, me birin që ndiqte urdhrat e babait (qesh)”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA