Për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, konsumimi i moderuar i kafesë nuk përbën rrezik për shëndetin dhe mund të lidhet edhe me disa përfitime.
Sipas të dhënave të fundit, deri në 400 miligramë kafeinë në ditë konsiderohen një sasi e sigurt për shumicën e të rriturve. Kjo sasi korrespondon afërsisht me tre deri në pesë filxhanë kafe filtri, megjithëse përmbajtja e kafeinës ndryshon në varësi të llojit dhe mënyrës së përgatitjes.
Sipas Agjencisë Europiane të Sigurisë Ushqimore (EFSA), një filxhan prej 200 mililitrash kafe të filtruar përmban rreth 90 miligramë kafeinë, ndërsa një ekspres prej 60 mililitrash rreth 80 miligramë. Kafeja është studiuar për më shumë se 150 vjet dhe perceptimi për të ka ndryshuar vazhdimisht. Sot, një sërë studimesh sugjerojnë se konsumimi i moderuar mund të shoqërohet me rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shumë prej këtyre rezultateve vijnë nga studime vëzhguese, të cilat tregojnë një lidhje mes konsumit të kafesë dhe shëndetit, por nuk mund të provojnë se kafeja është drejtpërdrejt shkaku i përfitimeve. Ata tërheqin po kështu vëmendjen se jo të gjithë reagojnë njësojë ndaj kafeinës. Megjithatë, me konsumimin e rregullt, organizmi mund të përshtatet dhe këto efekte mund të bëhen më të lehta.
Hulumtimet kanë gjetur gjithashtu një lidhje mes konsumimit të rregullt të kafesë dhe rrezikut më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Kjo lidhje u vu re edhe te personat që konsumonin kafe pa kafeinë, cka sipas studiuesve bën të mendohet se ka edhe komponentë të tjerë të saj që janë të paktën po aq të rëndësishëm.
Top Channel