Ne flasim gjithnjë e më pak/ Humbim 338 fjalë në ditë, ja çfarë thotë studimi i fundit
Një histori e pazakontë nga lashtësia greke vijon të ngjallë kureshtje edhe pas mijëra vitesh. Një grua e vdekur thuhet se u rikthye në botën e të gjallëve për të përjetuar dashurinë me një burrë.
Një nga rrëfimet më të çuditshme të Greqisë së Lashtë është historia e Filinionit dhe Makateut, një ngjarje misterioze që ndërthur dashurinë, vdekjen dhe botën e mbinatyrshme. Sipas një tregimi të lashtë, Filinioni ishte vajza e një familjeje fisnike maqedonase, e cila kishte vdekur e pamartuar. Ajo ishte varrosur sipas riteve të kohës, së bashku me sendet dhe bizhuteritë e saj personale.
Por gjashtë muaj pas varrimit, ndodhi diçka e pazakontë. Një i ri i quajtur Makateu, i cili ishte mysafir në shtëpinë e familjes, tregoi se prej disa netësh një grua misterioze i shfaqej në dhomë. Ajo kishte pamjen e një njeriu të gjallë, ishte e veshur me rroba të bukura dhe sillej me shumë përzemërsi ndaj tij.
Për tri net me radhë, sipas rrëfimit, të dy kaluan natën së bashku. Gruaja i dhuronte edhe unaza dhe sende të çmuara, të cilat më vonë do të rezultonin se ishin varrosur bashkë me të.
E vërteta zbulohet në mes të natës
Fillimisht, Makateu nuk dyshonte për identitetin e gruas. Por shërbyesja e shtëpisë, e shqetësuar nga vizitat e përsëritura gjatë natës, njoftoi nënën e Filinionit. Kur ajo hyri në dhomë, u përball me një pamje tronditëse: vajzën e saj, e cila kishte vdekur gjashtë muaj më parë, që qëndronte përballë saj.
Sipas historisë, Filinioni deklaroi se ishte rikthyer në botën e të gjallëve me vullnetin e perëndive dhe se nuk kishte ardhur për të frikësuar njerëzit, por për të dashuruar. Menjëherë pas këtyre fjalëve, trupi i saj u shemb dhe ajo vdiq për herë të dytë.
Varri bosh shton misterin
Por historia nuk përfundoi këtu. Të nesërmen, kur familjarët hapën varrin e saj, zbuluan se trupi i Filinionit dhe sendet e vendosura me të ishin zhdukur. Madje, bizhuteritë që ajo i kishte dhuruar Makateut rezultuan të ishin pikërisht ato që ishin varrosur bashkë me të.
Të tmerruar nga ajo që kishte ndodhur, banorët kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve lokale, të cilat, sipas rrëfimit, urdhëruan djegien e trupit të saj jashtë mureve të qytetit.
Një histori mes mitit dhe misterit
Rrëfimi i Filinionit dhe Makateut lidhet me një letër që i atribuohet astronomit Hiparku i Amfipolit dhe që është ruajtur nga filozofi i antikitetit të vonë, Prokli. Ndryshe nga historitë e zakonshme për fantazmat hakmarrëse, kjo histori paraqet një shpirt që rikthehet për shkak të dashurisë.
Edhe sot, rrëfimi mbetet një nga tregimet më të pazakonta të botës antike, duke ngritur pikëpyetje mbi besimet e grekëve të lashtë për jetën pas vdekjes, shpirtin dhe kufirin mes të gjallëve dhe të vdekurve.
Megjithatë, bëhet fjalë për një rrëfim të lashtë me elemente mbinatyrorë dhe jo për një ngjarje të vërtetuar historikisht.
Top Channel