Qytetarë dhe pushues të shumtë mbushën qendrën e qytetit të Kavajës për të ndjekur nga afër spektaklin “Verë dhe Portokalle”, duke e kthyer shëtitoren e re në një skenë të madhe të hapur argëtimi.
Të rinj, familje me fëmijë dhe të moshuar, jo vetëm nga Kavaja, por edhe nga zonat përreth, iu bashkuan mbrëmjes së humorit. Aktorët e njohur të “Portokallisë” sollën personazhet e tyre më të dashura, ndërsa përmes batutave dhe ironisë prekën edhe tema e fenomene të përditshmërisë shqiptare.
Energjia e publikut u përcoll gjatë gjithë spektaklit, me të qeshura dhe duartrokitje pas çdo performance. Për aktorët, ndalesa në Kavajë ishte një tjetër dëshmi se humori vazhdon të mbajë pranë vetes një publik të gjerë, pavarësisht moshës.
“Verë dhe Portokalle” vijon kështu turin veror në qytete të ndryshme të vendit, duke e çuar humorin dhe personazhet e njohura nga ekrani në skenat e hapura.
Pas Kavajës, ndalesa e radhës është Kamza, ku spektakli do të vijojë me të njëjtën formulë: humor, muzikë dhe argëtim pafund në shesh.
Top Channel