Bletët janë në gjendje të përdorin mjete për të zgjidhur probleme, sipas një studimi të ri që po sfidon bindjet e vjetra mbi aftësitë njohëse të insekteve.

Eksperimentet e kryera nga shkencëtarët tregojnë se këto insekte mund të gjejnë zgjidhje të reja për situata të panjohura, një aftësi që deri më tani u atribuohej kryesisht primatëve, elefantëve dhe sorrave.

Në studim, bletëve iu paraqit një version i përshtatur i eksperimentit të famshëm “kuti dhe banane”, i cili para një shekulli tregoi se shimpanzetë mund të përdornin objekte për të arritur një qëllim të paarritshëm. Në rastin e bletëve, ato duhej të rrokullisnin një top polistireni në një pozicion të caktuar dhe më pas të ngjiteshin mbi të për të arritur një lule artificiale të vendosur në një tavan të ulët.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Olli Loukola nga Universiteti i Oulut në Finlandë, rezultatet tregojnë se insektet nuk veprojnë vetëm mbi bazën e instinktit apo provës dhe gabimit. Ai theksoi se ekziston ende perceptimi se insektet janë thjesht “makina refleksesh”, por gjetjet e reja sugjerojnë një nivel shumë më të lartë fleksibiliteti mendor.

Bletët, të cilat ishin vetëm disa javëshe, u trajnuan fillimisht të lidhnin një lule artificiale blu me një shpërblim në formën e ujit të sheqerosur. Gjatë testit, lulja u zhvendos në tavanin e një dhome transparente, në një lartësi që nuk mund të arrihej drejtpërdrejt nga insektet. Për të marrë shpërblimin, ato duhej të përdornin topin si mjet ndihmës.

Në provën bazë, 75% e bletëve arritën me sukses të poziciononin topin dhe të merrnin shpërblimin. Shkencëtarët më pas krijuan versione më të vështira të eksperimentit për të verifikuar nëse bletët po zgjidhnin realisht problemin apo po vepronin rastësisht.

Në testin më kompleks, bletët duhej të kujtonin vendndodhjen e lules edhe pasi ajo nuk ishte më e dukshme për shkak të ndriçimit me dritë të kuqe. Nga 30 bletë të testuara, 23 arritën ta poziciononin saktë topin në vendin e duhur, duke treguar se ishin në gjendje të mbanin mend vendndodhjen e objektivit dhe të përdornin mjetin për ta arritur atë.

“Ne nuk po pretendojmë se bletët mendojnë si njerëzit, por rezultatet tregojnë se truri i tyre i vogël mund të gjenerojë zgjidhje fleksibile për probleme të reja”, u shpreh Loukola.

Edhe profesor Lars Chittka, ekolog sjelljeje në Universitetin Queen Mary të Londrës dhe autor i librit “Mendja e një Blete”, e cilësoi studimin si një nga demonstrimet më të qarta të inteligjencës së insekteve. Sipas tij, bletët kanë treguar më parë aftësi si numërimi dhe manipulimi i objekteve, por ky eksperiment dëshmon një nivel të ri të të kuptuarit të situatave.

Shkencëtarët theksojnë se gjetjet sfidojnë idenë se inteligjenca kërkon domosdoshmërisht një tru të madh dhe tregojnë se edhe sistemet nervore shumë të vogla mund të zhvillojnë sjellje komplekse dhe aftësi të avancuara për zgjidhjen e problemeve.

Studimi është publikuar në revistën shkencore Science.

Top Channel