Parada retro në Gjirokastër, makina ikonike dhe koleksionistë italianë tërheqin kureshtjen e turistëve

02/06/2026 12:39

Makina “retro” luksoze dhe mjaft të veçanta u ekspozuan në Sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.

Rreth 15 automjete të rralla, mes tyre edhe modele ikonike si Porsche 911, u bënë pjesë e këtij aktiviteti të organizuar nga një grup udhëtarësh dhe koleksionistësh italianë, pjesë edhe e Rotary Club Italia.

Pas ekspozimit në qendër të qytetit, grupi vizitoi edhe kalanë e Gjirokastrës, duke e kthyer ndalesën në qytetin e gurit në një promovim të veçantë të turizmit elitar dhe pasionit për makinat klasike.

Njëri prej drejtuesve të mjeteve tregoi se kishte ardhur me një Porsche 911, për të cilën tha se kishte qenë në dilemë nëse duhej ta shiste apo ta mbante, por në fund kishte vendosur ta ruante si pjesë të pasionit të tij.

“Ky nuk është thjesht një mjet, është pasion. Jo çdokush mund të punojë me të, pasi pjesët speciale janë të vështira për t’u gjetur. Kur makina ka një problem, mundohem të gjej mekanikun më të vjetër, sepse ata i njohin më mirë këto modele”, shprehet koleksionisti.

Ekspozimi i makinave retro solli atmosferë ndryshe në zemër të Gjirokastrës, ndërsa shumë qytetarë u ndalën për të fotografuar dhe parë nga afër automjetet ikonike.

Top Channel