Këtë mesjavë luhen ndeshjet e kthimit të Ligës së Kampioneve.
Në Olimpico, Roma do të presë Barcelonën që vjen pas fitores 4-1 të javës së kaluar. Barcelona gjatë gjithë këtij sezoni në Ligën e Kampioneve ka pësuar vetëm 3 gola, aq sa i duhen Romës për të kaluar në gjysmëfinale. Trajneri Valverde i ka grumbulluar të gjithë futbollistët dhe në fushën e lojës do të jenë të gjithë titullarët e padiskutueshëm, që do të thotë se me shumë gjasa do të luajë edhe Busquets.
Roma do të ketë në fushën e lojës Nainggolan, ndërkohë që po monitorohet gjendja e Under, për të cilin Di Francesco ende nuk ka marrë vendim. Perotti ka mbetur jashtë skuadre.
Në “Etihad Stadium” do të luhet ndeshja mes Manchester City dhe Liverpool. Skuadra e Jurgen Klopp ka fituar ndeshjen e parë 3-0 dhe Citizens do të duhet të përmbysin këtë rezultat, një mision shumë i vështirë ky për të besuarit e Guardiolës. Manchester City vjen në këtë ndeshje me moral jo shumë të lartë pas 2 humbjeve radhazi: ajo e javës së kaluar me The Reds dhe në derbin me United, dy ndeshje në të cilat Citizens shfaqën shumë defekte në repartin e mbrojtjes, aspekt ky që duhet rregulluar me çdo kusht nëse Manchester City dëshiron të kalojë në gjysmëfinale. Liverpool nga ana e tij do të kërkojë të shfrytëzojë ankthin dhe nervozizmin që ka pushtuar Manchester Cityn për të mbyllur çështjen e kualifikimit. Por, The Reds duhet të tregohen edhe të kujdesshëm, pasi në kampionat janë ndëshkuar rëndë në “Etihad Stadium” nga Manchester City, teksa janë mposhtur 5-0.
Top Channel