Juventusi e nis fazën e dytë aty ku e kishte lënë të parën. Skuadra e drejtuar nga Conte mposhti 4-2 Sampdorian, skuadra e vetme që e mundi dy herë sezonin e kaluar.
Me këtë triumf, Juventusi e çon në 12 numrin e fitoreve radhazi dhe për më shumë mban në 8 pikë diferencën me Romën e vendit të dytë.
Protagonisti i ndeshjes ishte kileni Vidal, i cili shënoi 2 gola në portën e Sampdorias.
Golat e tjerë u shënuan nga Llorente dhe në fund Pogba. Kjo ishte përgjigja më e mirë që skuadra e Contes i dha Romës, e cila mposhti 3-0 Livornon.
Në kampionatin spanjoll, Reali i Ancelottit demostroi më në fund që di të bëjë një futboll të bukur dhe nuk mbështetet vetëm te Cristiano Ronaldo.
Madrilenët shkatërruan 5-0 Real Betisin me golat e portugezit dhe Bale në pjesën e parë.
Goli i tretë për Realin mban firmën e Benzemas, për të cilin ishte goli i 100 në La Liga.
Dy golat e fundit u shënuan nga Di Maria dhe Morata. Me këtë fitore Reali ngjitet në kuotën e 50 pikëve dhe mban nën presion dy skuadrat kryesuese Barça dhe Atlético Madrid të cilat do të luajnë të dielën.
Top Channel