Libi, luftime për qytetin e Bregës

02/03/2011 15:05

Forcat besnike ndaj diktatorit libian, Muammar Gaddafi, kanë lëvizur në territorin e kontrolluar prej forcave opozitare dhe kanë nisur luftimet për qytetin e Bregës, ku ndodhet një rafineri dhe puse të rëndësishme nafte.

Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, forcat qeveritare arritën të merrnin kontrollin e qytetit në mëngjes pa ndeshur rezistencë, por rebelët u kundërpërgjigjën gjatë mesditës dhe kanë rikthyer në kontroll pjesën më të madhe të qytetit.

Avionët e ushtrisë besnike ndaj Gaddafi-t bombarduan disa orë më parë edhe rrethinat e qytetit të Ajdabijës, ku ndodheshin disa depo me municione të rënë në duart e rebelëve.

Gaddafi ka deklaruar disa herë në televizion se është i vendosur që të luftojë deri në njeriun e fundit, ndërsa paralajmëroi se mijëra libianë mund të vdesin, nëse forcat perëndimore do të ndërhyjnë.

Ai gjithashtu sfidoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e ftuar që të hetojë në vend, në të njëjtën kohë që theksoi se raportimet e mediave ndërkombëtare mbi dhunën janë tepër të zmadhuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA