Dita e 8-të e protestës së dhunshme/ Nga ftesa e Ramës për dialog te refuzimi! Tubimi i qetë përfundon me gurë, molotovë e gaz, përplasje në disa zona të Tiranës, policia përgjigjet me gaz dhe ujë

20/10/2026 21:07

Dita e tetë e protestave në Tiranë nisi me ftesën e përsëritur të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët dhe protestuesit, por vijoi me refuzimin e tyre dhe u përshkallëzua më pas në përplasje të dhunshme në disa zona të kryeqytetit.

Nga tubimi pa incidente para Kryeministrisë, protesta u zhvendos te Ministria e Arsimit dhe më pas sërish në bulevard, ndërsa gjatë mbrëmjes tensionet vijuan në sheshin “Skënderbej”, pranë Katedrales Ortodokse dhe përsëri para godinës së qeverisë.

Fillimisht, një grup pedagogësh u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, ku më pas iu bashkuan edhe studentë. Në të njëjtën kohë, drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, doli pranë karrigeve të vendosura simbolikisht për dialog, duke përsëritur ftesën e Ramës se studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshironin të diskutonin me kreun e qeverisë ishin të mirëpritur.

Ftesa u refuzua nga protestuesit, të cilët përmbysën karriget e vendosura para Kryeministrisë. Më pas nisi marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa pedagogët u larguan dhe nuk iu bashkuan pjesës tjetër të protestuesve.

Pikërisht te Ministria e Arsimit nisën edhe përplasjet e para. Protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre. Pas tensioneve, protestuesit u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një grup shkatërroi strukturën e një stacioni urbani dhe e përdori atë si një “barrikadë” përballë forcave të policisë. Në zonë nisën të mblidheshin edhe gurë.

Pas një periudhe qetësie, situata u tensionua sërish. Protestuesit hodhën gurë drejt efektivëve dhe molotovë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e protestuesve u shpërnda, ndërsa furgonë dhe makina policie u vunë në ndjekje të tyre.

Rreth orës 19:30, protestuesit u mblodhën përsëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përplasjet u zhvendosën më pas drejt sheshit “Skënderbej” dhe zonës pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku u hodhën molotovë dhe breshëri fishekzjarrësh në drejtim të policisë.

Pas orës 20:00, tensionet u rikthyen edhe para Kryeministrisë. Protestuesit u përplasën dhe u shtynë me efektivët, ndërsa policia përdori spraj me piper dhe gaz lotsjellës për t’i larguar nga zona. Në terren nisën edhe shoqërimet e protestuesve.

Ashtu si një ditë më parë, policia ndoqi strategjinë e ndërhyrjes së shpejtë me ujë dhe gaz lotsjellës, duke ndjekur protestuesit e maskuar pas shpërndarjes së grupeve.

Rreth orës 21;00 protestuesit janë rikthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku ka ndodhur një tjetër sulm me molotov ndaj policisë. Forcat e kësaj të fundi ndërhynë menjëherë duke mos kursyer hedhjen e ujit e gazit lotsjellës me dy autobotë për të neutralizuar protestuesit duke mos i lejuar t’i afrohen kryeministrisë.

 

Përditësimi i ngjarjeve, orë pas ore:

U arrestuan në protestë, Gjykata liron 13 tubuesit e shoqëruar

Protesta e 7-të në Tiranë, arrestohen 33 persona, procedohen penalisht 41 të tjerë

Protestat e dhunshme, Balla pas mbledhjes së Grupit të PS-së: Gjaku i policëve është gjaku i shtetit, të miturit të mos përdoren ‘mish për top’

Pedagogët ndalen para karrigeve për dialog, grisin letrat e vëna nga Rama dhe përballen me drejtoreshën e MIA-s

 

Top Channel