Protestuesit i vunë flakën Gjykatës së Lartë dhe Apelit, Shoqata e Gjyqtarëve: Akte të papranueshme, dobësojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese

20/10/2026 18:58

Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar pas djegies së Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë gjatë protestave në kryeqytet.

Në një deklaratë Shoqata e Gjyqtarëve ka shprehur se dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë.

Deklaratë e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë. Sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, përbëjnë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike. Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, por cenojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë. Çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave përkthehet në pasoja konkrete për qytetarët, të cilëve u vonohet ose u vështirësohet marrja e drejtësisë. Liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit është një vlerë themelore e demokracisë, por ushtrimi i saj nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe cenimin e sigurisë së njerëzve që ushtrojnë detyrën në to. Cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese.

Po aq alarmues është shqetësimi për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Mbrojtja e institucioneve gjyqësore nuk mund të trajtohet si një detyrë dytësore, aq më pak të mbetet në varësi të zhvillimeve të paparashikuara gjatë tubimeve publike. Siguria e gjykatave dhe e personave që ushtrojnë funksione në to kërkon vëmendje të posaçme, planifikim dhe reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse. Drejtësia është qëllim i Shtetit, po aq sa i individit. Veçanërisht shqetësues është ekspozimi ndaj akteve të dhunës i institucioneve që japin shërbimin e drejtësisë, ndërkohë që mbrojtja e tyre është kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës. Garantimi i sigurisë së këtyre institucioneve nuk është çështje privilegjesh institucionale, por detyrim shtetëror ndaj qytetarëve dhe interesit publik.

Në këtë klimë të tensionuar, Shoqata vlerëson po aq problematike gjuhën e papërshtatshme të përdorur publikisht nga Kryeministri ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve. Kritika ndaj vendimmarrjes gjyqësore është e ligjshme, por ajo nuk mund të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e funksionit të tyre. Deklarime të tilla, veçanërisht kur vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore. Ato ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj vendimeve gjyqësore. Përgjegjësia e kreut të ekzekutivit është të garantojë respektimin e lirive kushtetuese dhe sigurinë publike, jo të paragjykojë vendimet e gjykatave apo të përcaktojë publikisht se cilat masa sigurimi duhet të caktohen. Ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtyre masave vlerësohen vetëm nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.

Shoqata u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe faktorëve me përgjegjësi politike e publike të tregojnë vetëpërmbajtje, përgjegjshmëri dhe respekt për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Situatat e tensionuara në sferën publike kërkojnë qëndrime konstruktive dhe veprime institucionale me vizion dhe shtetari që forcojnë sigurinë, ligjshmërinë dhe besimin e qytetarëve, jo retorikë që përçajnë apo përplasin fiktivisht dhe pa dobi pushtetet. Shoqata kërkon marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe të personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, mbi të gjitha si detyrim në shërbim të qytetarëve. Njëkohësisht, ajo shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët që përmbushin funksionin e tyre me pavarësi, paanësi dhe integritet. Pa gjykata të sigurta dhe të pavarura, nuk mund të ketë drejtësi të prekshme për qytetarët dhe as shtet të së drejtës.

Top Channel