Ditën e sotme në orën 10:00 nisën pedagogët marshimin paqësor në mbështetje të studentëve që prej tetë ditësh janë duke protestuar.
Pedagogët kërkuan distancim nga përdorimi i dhunës nga protestuesit, por dënuan dhunën policore si jo proporcionale dhe bënë apel që të ndalohej përdorimi i saj ndaj të rinjve.
Këtij marshimi i është bashkuar dhe shkrimtarja Rita Petro, e cila është shprehur kundër dhunës ndaj të rinjve, duke shtuar se duan një zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që të ulen gjakrat.
“Ne jemi sot një grup shkrimtarësh që iu bashkuam protestës së pedagogeve, patjetër në mbështetje të të rinjve, të të gjithë studentëve që kanë dalë. Duam patjetër që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë që të ulen gjakrat, të ulen çdo lloj shtensionimi. Më shumë policia është në një situatë të tillë që bëjnë punën e tyre dhe janë të mbrojtur, ndërsa të rinjtë janë të pa mbrojtur, prandaj jemi më tepër në anën e të rinjve”, tha ajo.
Ndërkohë pedagogu Ardian Isufi u shpreh se në këto ditë të protestave të dhunshme kemi parë ngjarje që realisht nuk i bëjnë mirë shoqërisë.
“Ne jemi pedagogë që mbështesim studentët, sidomos për dhunën ndaj tyre, duke dashur të distancohemi nga çdo akt tjetër të dhunës në protestë. Kemi parë ngjarje që realisht nuk i bëjnë mirë shoqërisë. Një dhunë ndaj të rinjve që është e papërshkrueshme. Në një vend të Europës, policia dhe shteti duhet të jetë shumë i kujdesshëm ndaj rinisë sonë, se ata janë ngritur ashtu si ne, për të drejtat e tyre që lidhen me edukimin. Kemi thënë gjithë kohës që duhet një strategji e re kombëtare për arsimin, kemi vite që e themi. Unë jam pjesë e Sindikatave të Pavarura të Universiteteve shqiptare dhe kuptohet që qeveria gjithë këto vite nuk e ka patur këtë prioritet. Mendoj që është një akumulim indinjate dhe një akumulim që sot ka kaluar në një protestë kombëtare”, tha Isufi.
Një tjetër pedagog e cilësoi situatën të tensionuar dhe shtoi se të gjithë akademikët duhet të jenë në mbështetje të studentëve. Sipas tij, revoltat do të kenë përshkallëzim nga ana e protestuesve, por përdorimi jo proporcional i forcës është një vepër penale.
“Situatë e tensionuar, besoj se të gjithë akademikët duhet të jenë në mbështetje të studentëve, zëri i studentëve duhet të dëgjohet, sot më shumë se kurrë. Vepra penale çfarëdo lloj akti dhune, në tejkalim të forcës sidomos nga forcat e policisë. Revoltat sigurisht që do të kenë përshkallëzim sidomos nga ana e protestuesve siç ndodh në çdo vend të botës, por përdorimi jo proporcional i forcës është një vepër penale shumë e rëndë”, tha pedagogu.
Ndërsa një pedagoge u shpreh se është komplet kundër dhunës së studentëve. Sipas saj, ata jetojnë në kushte të vështira dhe për të përballuar kostot e jetesës janë të detyruar të punojnë me orë të zgjatura.
“Jam këtu në radhë të parë si pedagoge, por edhe si qytetare e këtij vendi dhe prind, jam komplet kundër dhunës së studentëve. Ata jetojnë në kushte shumë të vështira, për të përballuar kostot e jetesës janë të detyruar për të punuar me orë të zgjatura pasdite, kjo redukton kohën për të mësuar dhe sjell një serë pasojash më pas, ul nivelin e formimit të tyre akademik. Ne jemi sot, së pari kundër dhunës dhe së dyti për kushte të mira për studentët dhe jo vetëm”, tha pedagogia.
Top Channel