Përplasjet mes policisë dhe protestuesve, juristja dorëzon në SPAK kallëzim ndaj kryeministrit Rama dhe kryepolicit Hita

20/10/2026 11:36

Juristja Brizida Gjikondi ka dorëzuar sot në SPAK një kallëzim ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryepolicit Skender Hita.

Siç bën me dije gazetarja Anila Hpxha, ky kallëzim lidhet me dhunën e kryer nga policia ndaj protestuesve, ku sipas kallëzimit, ka pasur tejkalim të kompetencave nga forcat e rendit.

Gjatë protestës së dhunshme tensionet kanë qenë të shumta, ku ka pasur përplasje të shumta dhe të lënduar nga të dyja palët.

“Kemi depozituar pranë SPAK-ut një kallëzim penal kundër shtetasit Edvin Rama që është kryeministër në detyrë në Shqipëri dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita.

Ky kallëzim konsiston në kryerjen e veprës së gjenocidit, të shpërdorimit të detyrës, të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Kjo ka të bëjë totalisht me protestat e ditëve të fundit, ku e dimë se protesta është një e drejtë Kushtetuese, e cila jo vetëm nuk është garantuar, por ka patur një dhunë fizike, verbale, psikologjike, kriminale ndaj gjithë protestuesve, pa dallim moshe dhe pa dallim qoftë edhe përkatësie, student, protestues, intelektual, qytetar.

Në rast se zoti Rama fshihet pas sebepit që gjasmë ka pasur dhe nga ana e protestuesve dhunë, mendojmë se zotit Rama nuk i ka funksionuar as SHIK dhe as policia që të arrinte të identifikonte se kush ishin personat e dhunshëm dhe pse u arrit në këtë pikë”, është shprehur Brizida Gjikondi.

 

Top Channel