‘Ka qenë gjithmonë një figurë e njohur në Tiranë, si vajza me dritë që ti e kishe si shembull’.
Kështu e kujton aktorja Ema Andrea Rezana Çelikun, artisten e kinematografisë dhe televizionit shqiptar, që nda nga jeta dy ditë më parë.
Aktoret ishin shumë të reja kur u takuan në sheshxhirimet e filmit “Një vajzë dhe një djalë”, në vitin 1990. Përkushtimi dhe profesionalizmi me të cilin Rezana Çeliku i dha jetë rolit të një centralisteje u bë frymëzim për Ema Andrean.
Ema Andrea: “Kur Rezi vinte, gjërat lëviznin, merrnin një lloj drite, ishin më të komunikueshme. Në atë kohë e vëzhgoja dhe kam mësuar shumë, kam marrë shembull prej saj.”
Personazhi që Çeliku e pranoi pa hezitim përfshihej në një lidhje me një djalë më të ri në moshë dhe u konsiderua për kohën një rol i guximshëm, duke ngjallur diskutime. Ky ishte roli i saj i fundit në kinematografi dhe, sipas Andreas, paragjykimet që e ndoqën mund të kenë ndikuar në vendimin e saj.
“Ndoshta kjo ka ndikuar përse ajo u tërhoq dalëngadalë, por edhe për ndryshimet që pësoi kinemaja pas ’90-s.”, thotë Andrea.
Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës, Çeliku u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë ajo punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
“Kur e takoja në institucionet ku ajo punonte, ishte e njëjta Rez, me dritë, me jetë, me dashuri dhe përkushtim. E kam parë Rezin të bëjë akte heroike të heshtura… Këta njerëz që i duhen qytetit dhe artit, nuk di pse i merr Zoti kaq shpejt.”, shprehet Ema e pikëlluar.
Artistja, e cila ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare pasi humbi betejën me sëmundjen, do të mbetet gjatë në kujtesën e atyre që e njohën dhe deshën krijimtarinë e saj.
Top Channel